Rikthehet shkëlqimi i Sinagogës së Sarandës, ministri Gonxhja Shpall Projektin e Madh të Restaurimit

Gjatë një vizite zyrtare në qytetin bregdetar të Sarandës, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, është ndalur në një prej siteve më unike të trashëgimisë kulturore në vend: Sinagoga historike e qytetit. Ky monument, i zbuluar nga gërmimet arkeologjike dhe i njohur për mozaikët e tij me vlera të rralla, pritet t’i nënshtrohet së shpejti një procesi të thellë transformimi dhe mbrojtjeje.
Ministri bëri të ditur nisjen e një investimi gjithëpërfshirës që do të ketë në fokus restaurimin dhe konservimin e plotë të monumentit. Projekti parashikon mbrojtjen me standarde të larta të mozaikëve antikë, instalimin e një sistemi modern ndriçimi, si dhe modernizimin e zyrës së informacionit dhe infrastrukturës pritëse për vizitorët.
Kjo nismë vjen si fryt i një bashkëpunimi konkret ndërinstitucional mes Bashkisë së Sarandës, Ministrisë së linjës dhe mbështetjes së veçantë nga Fondacioni “Besa”. Përfshirja e këtij të fundit i shton një dimension të rëndësishëm historik dhe shpirtëror projektit, duke u lidhur drejtpërdrejt me vlerat më të mira të kombit tonë.
Siç njofton zyrtarisht Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit përmes një deklarate në rrjetet sociale, ky bashkëpunim nderon traditën shqiptare të mikpritjes dhe solidaritetit:
“Ky fondacion, i lidhur ngushtë me historinë e besës shqiptare dhe mbrojtjen që populli ynë u bëri hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjell një kontribut të vyer edhe për këtë monument me simbolikë të veçantë. Synimi është një ndërhyrje cilësore që do t’i rikthejë shkëlqimin e munguar, që të jetë i aksesueshëm gjatë gjithë ditës dhe natës, si dhe për ta kthyer sa më shpejt këtë sit në një pikë dinjitoze vizitueshmërie për qytetin.”
Me përfundimin e këtij projekti, Sinagoga e Sarandës jo vetëm do të shpëtohet nga degradimi i kohës, por do të kthehet në një atraksion kyç turistik dhe kulturor, i hapur për t’u vizituar në çdo orë të ditës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




