Pakistani kërkon zgjatje të armëpushimit – Të mërkurën në Islamabad pritet takimi mes Vance dhe Ghalibaf

Në një klimë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se bisedimet me Iranin përfaqësojnë “të vetmen rrugëdalje para se të bien bombat”.
Duke folur për CNBC, Trump theksoi se “Irani duhet të tregojë maturi dhe logjikë të shëndoshë”, ndërsa paralajmëroi se afati i së mërkurës është përfundimtar.
Në prag të raundit të dytë të negociatave që pritet të zhvillohen në Islamabad të Pakistanit, mbetet e paqartë nëse pala iraniane do të marrë pjesë.
Kryeqyteti pakistanez po përgatitet të presë delegacionet e dy vendeve, me synimin e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa kërcënimet nga të dyja palët për pasojat e prishjes së armëpushimit shtojnë pasigurinë.
Delegacionin amerikan pritet ta kryesojë zëvendëspresidenti J.D. Vance, i cili do të udhëtojë drejt Islamabadit gjatë ditës.
Nga ana tjetër, Teherani vijon të mbajë një qëndrim të ashpër, duke mos zbuluar strategjinë e tij dhe duke rritur tonet.
Trump, në një postim në rrjetin e tij TruthSocial, akuzoi Iranin se ka shkelur armëpushimin “shumë herë”.
Në një intervistë telefonike për emisionin konservator “The John Fredericks Show”, ai shprehu bindjen se Teherani do të ulet në tryezën e bisedimeve, por paralajmëroi për pasoja të rënda nëse kjo nuk ndodh.
“Shpresojmë të bëjnë një marrëveshje të drejtë dhe të rindërtojnë vendin e tyre”, tha Trump, duke shtuar se kur ta arrijnë këtë, “nuk do të kenë armë bërthamore”.
Afati i vendosur nga Uashingtoni skadon të mërkurën në mbrëmje, sipas orës lokale, dhe presidenti amerikan e cilësoi “shumë të pamundur” zgjatjen e armëpushimit.
Nga ana e tij, presidenti i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi ashpër përmes platformës X, duke deklaruar se “Nuk pranojmë të negociojmë nën kërcënime dhe gjatë dy javëve të fundit jemi përgatitur të zbulojmë karta të reja në fushën e betejës”.
Ministria e Jashtme e Pakistanit i dha X detaje rreth takimit të sotëm midis Zëvendëskryeministrit Ishaq Dar dhe Natalie Baker, zëvendësshefes së misionit në ambasadën amerikane në Islamabad.
Sipas postimit, Dar nënvizoi “theksimin e vazhdueshëm të Pakistanit në dialog dhe diplomaci si mjeti i vetëm i zbatueshëm për të adresuar sfidat dhe për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




