Sulmohen 3 anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit, rriten tensionet në Gjirin Persik

Botë | 6 muaj më parë

Sulmohen 3 anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa një tjetër incident është regjistruar teksa një mjet lundrues po përpiqej të kalonte këtë zonë strategjike, sipas firmës së inteligjencës detare Vanguard.

Anija më e fundit, MSC Francesca me flamur të Panamasë, u shënjestrua rreth gjashtë milje detare larg brigjeve të Iranit, ndërsa po lundronte drejt jugut nga ngushtica në drejtim të Gjirit të Omanit.

Sipas Vanguard, anija është kontaktuar nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe është udhëzuar të hedhë spirancën. Po ashtu raportohet se MSC Francesca ka pësuar dëme në trup dhe në pjesën e akomodimit, ndërsa ende nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen e saj apo ekuipazhit.

Ngushtica e Hormuzit po konsiderohet gjithnjë e më e rrezikshme për lundrimin tregtar, me raportime për sulme ndaj anijeve dhe ndërhyrje ushtarake në zonë. Sipas burimeve ndërkombëtare, anije luftarake iraniane kanë qëlluar ndaj mjeteve detare që kanë tentuar kalimin, ndërsa SHBA ka ndërhyrë duke kthyer mbrapsht më shumë se 20 anije që udhëtonin drejt ose nga portet iraniane.

Situata e tensionuar po ngre shqetësime për ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale dhe për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në Gjirin Persik. Ekspertët paralajmërojnë se zgjatja e krizës mund të rrisë mundësinë e një përplasjeje më të gjerë ushtarake në rajon.

Kjo konsiderohet si kriza më e rëndë në Gjirin Persik që nga pushtimi i Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme