Irani: Armëpushimi ka kuptim vetëm nëse SHBA ndalon bllokadën e porteve tona

Botë | 6 muaj më parë

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se një armëpushim i plotë ka kuptim vetëm nëse Shtetet e Bashkuara ndalojnë bllokadën e porteve iraniane.

Në një postim në X (ish-Twitter), Ghalibaf theksoi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është e pamundur për sa kohë që vazhdon “shkelja flagrante e armëpushimit” nga ana e SHBA-së.

“SHBA dhe Izraeli nuk arritën objektivat e tyre me agresion ushtarak dhe nuk do t’i arrijnë as me presion e shantazh,” paralajmëroi ai. “Rruga e vetme është të pranojnë të drejtat e popullit iranian.”

Deklarata vjen në mes të tensioneve të larta, pasi Irani akuzon Uashingtonin se po vazhdon bllokadën detare të porteve të tij, duke e konsideruar këtë si shkelje të armëpushimit.

Ghalibaf ka thënë gjithashtu se trafiku në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet i kufizuar ose nën kontrollin iranian derisa bllokada të hiqet.

Ndërkaq, më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se bisedimet me Iranin në Pakistan mund të rifillojnë ditën e premte.

Sipas mediave amerikane raundi i ri i negociatave midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mund të zhvillohet në Pakistan ditën e premte duke përmendur presidentin Trump dhe burimet pakistaneze

Gjithashtu bëhet e ditur se pas “përpjekjeve të ndërmjetësimit pozitiv me Teheranin, ” të dy palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve brenda “36 deri në 72 orë. ”

I kontaktuar nga New York Post, Trump, është përgjigjur se “është e mundur ” që palët mund të mblidhen në Islamabad brenda këtij afati kohor.

Megjithatë ai ka theksuar se SHBA do të vazhdojë bllokadën e porteve iraniane.

“Bazuar në faktin që qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, siç pritej, dhe pas kërkesës së Field Marshal Asim Munir dhe kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar të ndalojmë sulmin ndaj vendit të Iranit derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të dalin me një propozim të unifikuar.

Prandaj, i kam urdhëruar Forcat tona Ushtarake të vazhdojnë bllokadën dhe, në të gjitha aspektet e tjera, të mbeten të gatshme dhe të afta, dhe kështu do ta zgjasim armëpushimin derisa propozimi i tyre të paraqitet dhe diskutimet të përfundojnë, në një mënyrë ose në tjetrën”, shkroi Trump në një postim në rrjetin ‘Truth Social’.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme