Ministri i Mbrojtjes, Nufi, pret Ambasadorin e SHBA në NATO, Whitaker, diskutime për sigurinë rajonale dhe rolin e Shqipërisë

Aktualitet | 6 muaj më parë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, është pritur në një takim nga Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Në një reagim publik, ministri theksoi rëndësinë strategjike të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

Ai u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave të sigurisë. 

Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit strategjik dhe në rritjen e rolit të vendit në rajon. 

Pas takimit, ministri publikoi një video ku shihet së bashku me ambasadorin Whitaker duke inspektuar Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila është rinovuar me fonde të NATO-s.

Inspektimi u fokusua tek rëndësia e bazës si një element kyç për sigurinë rajonale dhe aftësia e Shqipërisë për t’u shndërruar në një nyje logjistike të aleancës. 

Ky zhvillim vjen pas vizitës së ambasadorit Whitaker në Kryeministri, ku u takua me Kryeministrin Edi Rama. Në atë takim u diskutua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike e ushtarake, si dhe Samiti i NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë. 

Samiti pritet të shndërrojë Shqipërinë në pikëtakimin e aleancës më të madhe ushtarake në botë, duke reflektuar rolin e saj në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme