Gjykata e Gjirokastrës lë në “arrest shtëpie” Dali Nelajn dhe Aldo Kalemin, zbardhet dinamika e përplasjes me armë në Memaliaj

Aktualitet | 6 muaj më parë

Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për shtetasit Dali Nelaj dhe Aldo Kalemi (vjehërr dhe dhëndër), të cilët ishin ndaluar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur tre ditë më parë në Memaliaj. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e RTSH 24 në Gjirokastër.

Trupi gjykues kishte vendosur paraprakisht që shqyrtimi të bëhej në dy seanca të ndara: fillimisht për të dyshuarit Nelaj dhe Kalemi, për të vijuar më pas me të dyshuarin tjetër të kësaj dosjeje, Ermal Mataj.

Dinamika e ngjarjes sipas Prokurorisë

Gjatë mbajtjes së seancës, prokurorja e çështjes, Aulona Haxhiraj, ka paraqitur para gjykatës provat dhe pamjet filmike që rindërtojnë skenën e krimit. Referuar konkluzioneve të hetimeve paraprake, organi i akuzës theksoi se konflikti nuk ka pasur si zanafillë një përplasje të mirëfilltë mes grupeve rivale, por ka nisur si një sherr mes dy personave të tjerë, ku më pas kanë ndërhyrë edhe personat e arrestuar.

Sipas dosjes hetimore të prezantuar në sallë, situata është përshkallëzuar kur viktima, Endri Goxhaj, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të Dali Nelajt. Pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë dhe të analizuara nga prokuroria tregojnë se, pasi Nelaj ka rënë në tokë i plagosur, dy vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjoldo Nelaj, kanë reaguar menjëherë duke hapur zjarr në drejtim të Goxhajt.

Akuza nënvizoi se në momentin që është qëlluar nga dy vëllezërit, Goxhaj nuk ka reaguar më me armë. Pas ngjarjes, Donaldo dhe Marjoldo Nelaj kanë transportuar vëllanë e tyre të plagosur drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës për ndihmë mjekësore, përpara se të largoheshin në një drejtim ende të panjohur për autoritetet.

Vendimi i gjykatës

Në përfundim të relacioneve dhe shqyrtimit të rrethanave të ngjarjes, prokurorja Haxhiraj i kërkoi trupit gjykues caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” për Dali Nelajn dhe Aldo Kalemin. Gjyqtarja Romena Qamo e gjeti të bazuar kërkesën e organit të akuzës dhe vendosi ta miratojë atë, duke lënë të dy të pandehurit në arrest shtëpiak gjatë kohës që hetimet vazhdojnë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme