Rriten krimet dhe procedimet penale në 2025, INSTAT: Mosha e autorëve nga 30-44 vjeç

Aktualitet | 6 muaj më parë

Gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e kriminalitetit në vend, sipas të dhënave më të fundit mbi statistikat e krimeve dhe drejtësisë penale.

Sipas INSTAT, në total janë evidentuar 38.345 vepra penale, duke shënuar një rritje prej 17,4 % krahasuar me vitin 2024.

Edhe numri i autorëve të dyshuar ka pësuar rritje, duke arritur në 45.334 persona, ose 13,2 % më shumë se një vit më parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë meshkuj (93,3 %), ndërsa grupmosha më e përfaqësuar mbetet ajo 30-44 vjeç, që përbën 36,2 % të totalit.

Rritje është shënuar edhe në numrin e personave të dëmtuar, që në vitin 2025 arriti në 19.145, ose 7,8 % më shumë se në vitin 2024. Nga këta, 39,3 % janë viktima të krimeve kundër personit. Femrat përbëjnë 36,7 % të kësaj kategorie, kryesisht në rastet e krimeve seksuale, shkeljeve të moralit dhe dinjitetit, si dhe në çështje që lidhen me familjen dhe fëmijët.

“Numri i procedimeve penale të regjistruara në vitin 2025, është 27.049, me një rritje prej 8,5 %, krahasuar me vitin e kaluar: Nga 24.491 procedime penale të përfunduara, 27,6 % e tyre janë pushuar, 27,8 % janë pezulluar dhe 42,5 % janë dërguar për gjykim në gjykatë. Në vitin 2025, janë regjistruar 14.356 persona të pandehur, 9,0 % më shumë, krahasuar me një vit më parë:  Meshkujt përbëjnë 94,0 % të numrit gjithsej të të pandehurve. Numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 4.503, 0,3 % më shumë, krahasuar me vitin 2024:  Meshkujt përbëjnë 98,4 % të numrit gjithsej të të burgosurve”, thuhet nw statistikat e INSTAT.

Numri i të pandehurve ka arritur në 14.356 persona, 9 % më shumë se një vit më parë, ku meshkujt përbëjnë 94 % të totalit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme