Forcohen rregullat për eksportin dhe tranzitin e mbetjeve, Shqipëria përafron legjislacionin me Bashkimin Evropian

Qeveria shqiptare ka bërë gati një projektvendim të ri i cili do të transformojë rrënjësisht mënyrën se si menaxhohet eksporti dhe kalimi tranzit i mbetjeve të rrezikshme, jo të rrezikshme dhe atyre inerte. Akti i ri nënligjor, i cili del në zbatim të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, përshtat plotësisht Rregulloren e re të Bashkimit Evropian, duke synuar t’i japë fund praktikave të pakontrolluara dhe të garantojë mbrojtjen maksimale të mjedisit.
Garancitë financiare dhe auditimet e pavarura
Një nga shtyllat kryesore të këtij projektvendimi është detyrimi i eksportuesve për të mbuluar çdo risk financiar dhe mjedisor. Të gjitha dërgesat e mbetjeve do t’i nënshtrohen detyrimit për vendosjen e një garancie bankare ose police sigurimi, e cila duhet të mbulojë kostot e transportit të mbetjeve; kostot e rikuperimit ose asgjësimit në destinacion; kostot e magazinimit për një periudhë deri në 90 ditë, në rast se dërgesa dështon.
Për më tepër, eksportuesit shqiptarë detyrohen të vërtetojnë se impiantet pritëse jashtë vendit operojnë sipas standardeve mjedisore. Kjo do të bëhet përmes auditimeve të pavarura, dhe në rast mospërputhjeje, eksporti do të ndërpritet menjëherë. Rregullat parashikojnë edhe detyrimin për rikthimin e dërgesave në Shqipëri me shpenzimet e eksportuesit, nëse procesi dështon ose shpallet i paligjshëm.
Kufizime të ashpra dhe ndalimi i “asgjësimit”
Për të nxitur ekonominë qarkulluese, projektvendimi vendos barriera të forta për eksportin e mbetjeve që kanë si qëllim thjesht “asgjësimin”. Ky proces do të lejohet vetëm në raste përjashtimore, kur vërtetohet se nuk ka asnjë alternativë tjetër të qëndrueshme.
Gjithashtu, dërgesat e mbetjeve drejt vendeve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian do të lejohen vetëm nëse këto shtete janë pjesë e një liste të posaçme të miratuar, e cila dëshmon se ato plotësojnë standardet evropiane për trajtimin e mbetjeve. Kjo listë pritet të miratohet nga Ministria e Mjedisit brenda një viti nga hyrja në fuqi e aktit.
Digjitalizimi dhe hyrja në fuqi (qershor 2027)
Për të rritur transparencën dhe për të siguruar gjurmueshmërinë e plotë, do të ngrihet një regjistër kombëtar elektronik. Për të lënë kohën e mjaftueshme për integrimin e këtij procesi me Sistemin e Integruar Mjedisor (SIM) përmes portalit e-Albania, vendimi është parashikuar të hyjë në fuqi në qershor të vitit 2027.
Deri në atë kohë (periudha tranzitore), procedurat e aplikimit, autorizimeve dhe raportimit do të vijojnë të kryhen në formë shkresore pranë Ministrisë së Mjedisit. Subjektet janë të detyruara të ruajnë të dhënat e dërgesave për të paktën 5 vjet.
Sipas relacionit shoqërues, ky projektvendim nuk do të ketë efekte financiare shtesë mbi buxhetin e shtetit, pasi do të zbatohet nga strukturat ekzistuese: Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Inspektoriati i Përgjithshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




