Gogu pret homologen austriake Anna Sporrer: Në kilometrin e fundit drejt BE-së, me mbështetjen e Austrisë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, priti sot në Tiranë Ministren e Drejtësisë së Austrisë, Dr. Anna Sporrer, në një vizitë zyrtare që u shoqërua me takim të delegacioneve dhe pjesemarrje ne aktivitete te perbashketa. Në fokus të bisedimeve ishte perparimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë.
Gjatë takimit, ministri Gogu theksoi se vizita e ministres Sporrer vjen në një moment historik për Shqipërinë. “Jemi në kilometrin e fundit të aderimit në Bashkimin Europian – një destinacion i mohuar për një kohë shumë të gjatë,” u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se Shqipëria ka avancuar drejt mbylljes së piketave të ndërmjetme, duke hyrë në një fazë vendimtare të negociatave, ku pritet së shpejti mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare dhe nisja e punës për mbylljen e kapitujve.
Në këtë kontekst, Gogu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në procesin e reformës në drejtësi dhe në rrugën europiane të vendit. “Falënderoj Austrinë për mbështetjen konkrete gjatë këtyre 10 viteve të reformës në drejtësi, një mbështetje që ka bërë diferencë reale,” theksoi ai.
Nga ana e saj, ministrja Sporrer theksoi partneritetin afatgjatë mes dy vendeve, duke deklaruar se “kemi një histori të gjatë bashkë, por edhe një të ardhme të përbashkët”.
Gjatë diskutimeve, të dy ministrat u ndalën te sfidat që mbeten në sistemin e drejtësisë, duke theksuar nevojën për të rritur aksesin në drejtësi, përmirësuar efikasitetin e sistemit dhe forcuar garancitë proceduriale për qytetarët.
Po ashtu, u diskutua bashkëpunimi konkret në projekte që prekin drejtpërdrejt qytetarët, si ndihma juridike falas, përfshirja e të rinjve juristë dhe fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile.
Të dy palët theksuan se progresi në sundimin e ligjit mbetet kyç për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë në funksion të një drejtësie që funksionon në praktikë dhe rrit besimin e qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




