Bashkëbisedim qeveri–biznes: Krijohet Platforma e Bashkëpunimit

Ekonomi | 6 muaj më parë

Procesi i konsultimit të biznesit për daljen e tyre në tregun europian, automatikisht me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, tashmë po merr konfigurimin e dukshëm.

Zv/ministri i Financave i tha televizionit publik se bashkëbisedimi me grupet e interesit për ligjet e reja është shtrirë në disa rrafshe. 

“Duke filluar që nga shtatori i 2025-ës, kryenegociatorja bashkë me negociatorë kanë zhvilluar dhe po zhvillojnë një kalendar pikërisht për konsultimet, për takimet me grupet e interesit, pjesë e të cilat janë edhe tryezat e PPJ-së. Shumë aktorë të shoqërisë kanë qenë mbase të lodhur, mbase edhe të mbingarkuar me fjalën integrim dhe jo gjithmonë i kanë vënë rëndësinë e duhur, duke mos menduar me të drejtë mbase për shumë vite më parë që këto rregulla do realizoheshin dhe kishin arsye për të investuar në njohjen apo në aplikimin e tyre.” 

Procesi nënkupton nga ana tjetër që vetë bizneset të angazhohen për kushtet e reja të sipërmarrjes së tyre.

“Detyrimi i individëve dhe i kompanive për t’u informuar për kostot dhe për detyrimet ligjore me të cilat duhet të përballen është më së pari vetjak.” 

Institucionalizimi i këtij bashkëbisedimi i përgjigjet në fakt protokollit të periudhave të quajtura tranzitore.

“Komunikimet që ne kemi me aktorët e shoqërisë civile apo me bizneset patjetër që përmblidhen nga sekretariati teknik, i cili përbëhet nga drejtoritë përkatëse të Ministrisë së Financave apo të ministrive të tjera për kapitujt e tjerë, dhe i përcillet kryenegociatores për ta pasur më pas si një element diskutimi edhe në raport me Komisionin Europian për periudhat tranzitore.” 

Zv/ministri Yzeirja e vlerëson zërin e biznesit si faktor me peshë në vendimin e Komisionit Europian për zgjatjen e afatit të zbatimit të ligjeve përkatëse.

“Nëse ne kemi një argument të shëndoshë, të mirë elaboruar për sa i përket nevojës që ka një sektor i ekonomisë shqiptare për të pasur një shtysë përsa i përket aplikimit të detyrimeve të Bashkimit Europian, gjasat janë që Komisioni të dëgjojë dhe të ketë një përgjigje relativisht pozitive. Kuptoj në raport me argumentin, dhe një nga elementet përbërëse për hartimin e një argumenti të qëndrueshëm edhe të besueshëm është pikërisht komunikimi që ne kemi me sektorin privat, i cili preket nga direktiva në fjalë.” 

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme