Kurti takon Kallas: Linjëzimi me BE-në, thelbësor për integrimin evropian të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), zhvilloi takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Gjatë takimit, bëhet me dije se u diskutua situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst gjithnjë e më të ndërlidhur të sfidave ndërkombëtare.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Në këtë drejtim, Kryeministri në detyrë Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin e vendit tonë dhe nevojën për trajtim të drejtë, të bazuar në meritë.
Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara.
Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




