Qytetarët në Durrës protestojnë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 2 fëmijë

Aktualitet | 6 muaj më parë

Familjarë dhe banorë të lagjes ku ndodhi aksidenti tragjik i pak ditëve më parë ku humbën jetën 2 fëmijë, marshuan sot në një protestë të heshtur në qytetin e Durrësit.

Ata kanë kërkuar vendosjen e drejtësisë dhe marrjen e masave konkrete për të mbrojtur jetën e qytetarëve, sidomos të fëmijëve.

Marshimi nisi nga stadiumi “Niko Dovana”, vijoi drejt Drejtorisë së Policisë së Durrësit dhe u përmbyll para Bashkisë së Durrësit.

Qindra qytetarë, mes tyre të rinj, fëmijë dhe të rritur, u bashkuan në këtë nismë, duke mbajtur pankarta me mesazhe për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës.

Protestuesit theksuan nevojën urgjente për krijimin e më shumë hapësirave publike për fëmijët, si parqe dhe kënde lojërash, si dhe për rritjen e sigurisë në rrugë e trotuare.

Ata kërkuan përgjegjësi më të madhe nga institucionet për të parandaluar aksidente të tjera tragjike.

Banorët kanë bërë apel për më shumë përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje reale të jetës së qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

Protesta vjen katër ditë pas aksidentit tragjik në Lagjen 15 të Durrësit, ku drejtuesi i automjetit, 57 vjeçari Nikoll Radaçi lëvizte me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur, doli nga rruga dhe goditi tre fëmijë që ishin duke luajtur në trotuar, ku dy prej tyre humbën jetën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme