Java e fundit e “Abissnet Superiore”, ja për çfarë luhet

Të dielën do të mbyllet sezoni i rregullt i “Abissnet Superiore”, me ndeshjet e javës së 36-të, që do të luhen të gjitha në orën 16.00 e do të transmetohen direkt në kanalet e RTSH. Luhet për vendin e parë, vendin e parafundit që shoqëron Flamurtarin në Kategorinë e Parë dhe për skuadrën që luan në play-out.
Sezoni i rregullt i “Abissnet Superiore” do të mbyllet të dielën me ndeshjet e javës së 36-të, të cilat do të luhen të gjitha në orën 16.00 e do të transmetohen direkt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Pas 35 javëve, janë përcaktuar matematikisht vetëm katër pozicione dhe në javën e fundit do të luhet për vendin e parë dhe për mbijetesën, me një skuadër që do të shoqërojë Flamurtarin në Kategorinë e Parë, një tjetër që do të luajë në play-off.
Vora-Bylis është një përballje direkt për mbijetesën, e vetmja që përfshin dy skuadra ende të rrezikuara. Bylis ka dy pikë më tepër, 41 me 39, dhe skuadra që fiton shpëton, pavarësisht rivalëve të tjerë. Ky takim do të transmetohet në RTSH 2.
Në kanalin e parë, RTSH 1, do të jetë Elbasani kryesues kundër Tiranës, me 41 pikë. Elbasanit i mjafton një pikë për ta mbyllur në vendin e parë, ndërsa Tiranën e çon në play-out nëse fitojnë Vora dhe Teuta. Kjo e fundit do të luajë në Rrogzhinë me Egnatian dhe i duhet fitorja për të siguruar mbijetesën, ndërsa vendasit janë matematikisht në vendin e tretë. Ndeshja do të transmetohet në RTSH 24.
Në Shkodër, Vllaznia pret Flamurtarin tashmë të rrëzuar, takim që do të transmetohet në RTSH Shkodra. Kuqeblutë mund të zënë vendin e parë me fitoren, në rast humbjeje të Elbasanit.
Në Tiranë dhe direkt në RTSH Sport, takimi që nuk vlen për asnjë skuadër, derbi Partizani-Dinamo, të palëvizshme nga pozicionet 5 dhe 4, ndonëse për skuadrat që janë në katërshe çdo pikë vlen edhe për më tej në luftën për titull.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




