SMS mashtruese në emër të bankave, arrestohet 1 person. Policia: Mos klikoni linqe të dyshimta, asnjë institucion s’kërkon përditësim të dhënash

Aktualitet | 6 muaj më parë

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Banka e Rreme 2”, në kuadër të goditjes së krimit kibernetik dhe mbrojtjes së qytetarëve nga mashtrimet online.

Sipas Policisë, autorët kishin ngritur një skemë mashtrimi të tipit “smishing”, përmes së cilës qytetarëve u dërgoheshin mesazhe SMS në emër të një banke të nivelit të dytë. Në mesazhe kërkohej përditësimi i të dhënave bankare përmes klikimit të një linku mashtrues, i cili imitonte faqen zyrtare të institucionit financiar.

Si pasojë, disa qytetarë kanë dhënë të dhënat e tyre bankare dhe janë bërë viktima të mashtrimit.

Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasit I.K., 25 vjeç, me nënshtetësi holandeze, i dyshuar si autor i skemës kriminale. Gjithashtu, policia shpalli në kërkim shtetasin A.R., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve apo linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhëna personale ose bankare, duke theksuar se asnjë institucion bankar nuk kërkon përditësim të të dhënave sensitive përmes SMS-ve ose linkeve të dërguara në telefon.

Autoritetet ftojnë qytetarët që në çdo rast të dyshimtë të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose institucionit të tyre bankar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme