Akti i Ndrenikës, Sulo: E papranueshme, ndjeva nje siklet, intelektualët nuk janë kurrë me pushtetin

Aktualitet | 6 muaj më parë

Analisti Arion Sulo ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1, se akti i aktorit Robert Ndrenika në gjyqin e Erion Veliajt ishte një akt i papranueshëm.

 Sulo e cilësoi momentin si “një impresion jo të mirë” dhe “një siklet” për një nga artistët më të respektuar të skenës shqiptare.

“Robert Ndrenika nuk ishte në atë gjyq si individi Robert Ndrenika. Ai ishte atje si një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, si njeriu që miliona shqiptarë e duan dhe e adhurojnë për filmat e tij dhe për kontributin e madh që ka dhënë në art”, tha Sulo.

Analisti nënvizoi se nga figurat publike, artistët dhe intelektualët pritet një rol shumë më i lartë se ai i qytetarit të thjeshtë.

“Pa dyshim që presin jo vetëm nga artistët, por edhe nga shkrimtarët, intelektualët dhe nga bota intelektuale që të thonë të vërtetën dhe të jenë ndërgjegjja morale e këtij vendi. Për definicion, intelektualët nuk janë asnjëherë me pushtetin, nuk janë asnjëherë me qeveritë, nuk janë asnjëherë me të fortit”, deklaroi ai.

Sulo solli si shembull periudhën e komunizmit, duke thënë se Shqipëria ka akoma të freskët në kujtesë konformizmin e intelektualëve dhe mungesën e disidencës reale gjatë asaj kohe.

Ai shtoi se historia i ka denigruar ata që kanë zgjedhur të rreshtohen me pushtetin.

Duke pranuar se e vlerëson shumë Robert Ndrenikën si aktor dhe se e ka ndjekur me admirim gjatë karrierës, Sulo theksoi se pikërisht për shkak të staturës së tij të madhe, gjesti në sallën e gjyqit ishte i papranueshëm për të.

“Të shikoja Robert Ndrenikën që të puthte Erjon Velin në sallën e gjyqit… Erjon Veliaj sot është një kryebashkiak në akuzë, është i pandehur. Si mund të thotë Robert Ndrenika që ai është i pafajshëm?”, shtroi Sulo pyetjen retorike.

Ai shtoi se Ndrenika nuk përfaqëson vetëm veten në këtë rast, por një ikonë kombëtare, dhe se nuk e ka sqaruar publikisht arsyen e këtij veprimi, gjë që ka shkaktuar një valë të madhe reagimesh si pro ashtu edhe kundër.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme