“Ngrihuni, t’i vendosim eksploziv”, i penduari Artan Tafani flet për tritolin në lokalin e Noizy-t: Laert Haxhiu u hakmor për rrahjen e Clevios se e kishte mik

Në seancën ndaj grupit kriminal të Laert Haxhiu që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, i penduari i drejtësisë Artan Tafani ka rrëfyer dinamikën e vendosjes së tritolit në lokalin në Durrës i reperit Noizy (Rigels Rajku).
Sipas dëshmisë së dhënë në gjykatë, konflikti mes palëve ka nisur fillimisht në rrjetin social TikTok, mes Noizy-t dhe Kleviol Ahmeti i njohur me emrin Clevio. Më pas, situata është përshkallëzuar në një incident dhune dhe publikimi videosh në rrjetet sociale.
Tafani ka deklaruar se më pas ka komunikuar me Laert Haxhiun, i cili, sipas tij, ka shprehur dëshirën për të kryer një akt hakmarrjeje duke vendosur eksploziv, pais ishte mik me Clevion. Ai shtoi se në ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë, përfshirë vëllain e Haxhiut.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 03:00–04:00 të mëngjesit në Durrës, ku Tafani pretendon se ai ka vendosur lëndën plasëse në lokal, ndërsa persona të tjerë kanë qëndruar në makinë.
Ai ka deklaruar gjithashtu se pas vendosjes së eksplozivit ka njoftuar grupin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pjesë nga dëshmia në GJKKO
Artan Tafani: Konflikti nisi në TikTok mes Noizy (Rigels Rajku) dhe Kleviol Ahmeti (Clevio). Më pas ndodhi një sherr, ku Klevi u dhunua dhe videoja u publikua në TikTok. Unë po flisja me Laert Haxhiu, i cili donte t’i vendoste një eksploziv për hakmarrje. Laerti e kishte shok Clevion dhe kishin njohje familjare. Folëm edhe me vëllain e Laertit, që ndodhej në Gjermani, dhe ai na tha të mos bënim veprime të tilla. Më pas Laerti foli me nënën dhe motrën e tij, të cilat e pyetën për Clevion dhe për ngjarjen e dhunimit të tij, pasi e njihnin dhe ishin rritur bashkë. Aty Laerti u prek në sedër dhe na tha: ‘Ngrihuni, do shkojmë t’i vendosim eksploziv’.
Kemi shkuar rreth orës 3-4 të mëngjesit te lokali në Durrës. Lulzim Spahia qëndroi në makinë, ndërsa unë vendosa eksplozivin te dyqani poshtë lokalit. Pastaj fola me Laertin, i thashë se e vendosa, shpërtheu dhe më pas hipa në makinë e u nisa për në shtëpi.”
Prokurori Behar Dibra: Gjatë vendosjes së eksplozivit, a mendon se të ka parë dikush?
Tafani: Po, mendoj se më kanë parë nga fast food-i përballë. Ishte dikush te banaku që besoj se më ka parë.
Prokurori: A kishit informacion se ku ndodhej Kleviol Ahmeti? A është takuar ai me Laert Haxhiu pas sherrit?
Artan Tafani: Jo, nuk janë takuar. Ne e dinim që Clevio ndodhej në komisariat atë natë kur vendosëm tritolin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




