Probleme me energjinë elektrike, bllokohen për orë të tëra rreth 50 minatorë në Trepçë, 18 ende brenda, ja gjendja e tyre

KOSOVË/ Një defekt i rëndë teknik në minierën e “Trepçës” në Stantërg, Mitrovicë ka lënë të ngujuar dhjetëra minatorë për më shumë se 16 orë.
Problemet nisën rreth orës 01:00 të natës, kur një trafo kryesore pësoi defekt, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe duke bllokuar funksionimin normal të minierës.
Sipas medias vendase, drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku, konfirmoi se “50 minatorë kanë qenë brenda që nga ora 01:30 pas mesnate. Një pjesë e tyre kanë arritur të dalin, ndërsa aktualisht 18 minatorë janë ende brenda. Gjendja e tyre shëndetësore është e qëndrueshme dhe po punohet për të gjetur një zgjidhje alternative.”
Edhe anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, tha se situata është e rënduar.
“Në momentin e prishjes së trafos, në turnin e tretë ishin rreth 45 minatorë. Disa prej tyre, më të rinj dhe më të shëndetshëm, kanë dalë në këmbë përmes rrugëve të vështira dhe alternative. Aktualisht, brenda në zgafellë në horizontin e 10 dhe 11-të kanë mbetur 18 minatorë, të cilët janë pak më të moshuar dhe nuk kanë mundur të dalin.”
Osmani shtoi se gjendja e minatorëve të mbetur nën tokë “nuk është e mirë”, ndërsa ekipet teknike po punojnë intensivisht për sanimin e defektit dhe rikthimin e energjisë.
“16 orë janë poshtë dhe gjendja e tyre nuk është e mirë. Mjeshtrit janë duke punuar, por nuk e di kur do të kryhen punimet,” u shpreh ai.
Më 26 janar 2026, minatorët e ndërrimit të dytë kishin mbetur të ngujuar për 6 deri në 7 orë për shkak të mosfunksionimit të liftit si pasojë e një defekti me energjinë elektrike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




