Përplasje mes dy firmave që operojnë në Aeroportin e Vlorës, bllokohet hyrja e punëtorëve
Një situatë tensioni është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne (18 maj) në ambientet e Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku është shënuar një përplasje mes dy kompanive që janë të angazhuara në punimet e aeroportit. Sipas informacioneve paraprake, përfaqësues dhe punonjës të njërës prej firmave kanë penguar hyrjen e punëtorëve të kompanisë tjetër, duke mos i lejuar të futen në kantier dhe të vijojnë punën.
Sipas gazetares Afrovita Hysaj, punonjësit e njërës kompani dhe nënkontraktorë të tyre janë telefonuar mbrëmjen e djeshme (17 maj) dhe njoftuar se nuk duhet të vinin në punë këtë të hënë (18 maj). Megjithatë duke mos pasur komunikim zyrtar, punonjësit janë prezantuar në punë por nuk janë lejuar të hyjnë brenda ambienteve të aeroportit. Bëhet fjalë për punonjësit që punojnë brenda terminalit, në ambientet e jashtme dhe zjarrfikëse. Afati i këtyre firmave (që u ndaluan) për përfundimin e punimeve është fundi i muajit maj me të drejtë shtyrje edhe 3 muaj, pra gushti është afati përfundimtar.
Përfaqësues të kompanisë tjetër kanë deklaruar se nuk kanë asnjë lajmërim zyrtar për asnjë zhvillim. Ndërkaq, mësohet se Policia ka shoqëruar në Komisariat, përfaqësues të të dy firmave për të bërë ballafaqimin.
Ndërkaq ka ardhur dhe reagimi i kontraktorit, ku pretendon se kjo situatë nuk ka lidhje me ndonjë konflikt ndërmjet ortakëve të shoqërisë por, një prej kompanive të kontraktuara për kryerjen e punimeve ka rezultuar me vonesë në përmbushjen e detyrimeve, duke çuar në ndërprerje të marrëdhënieve.
“NJOFTIM
Për të gjithë të interesuarit
Në lidhje me bllokimin e rrugës nga disa nënkontraktorë, sqarojmë opinionin publik dhe të gjithë të interesuarit se kjo situatë nuk ka asnjë lidhje me ndonjë konflikt ndërmjet ortakëve të shoqërisë koncesionare.
Çështja në fjalë lidhet ekskluzivisht me një marrëdhënie kontraktuale ndërmjet shoqërisë koncesionare Vlora International Airport VIA dhe një prej kompanive të kontraktuara për kryerjen e punimeve ndërtimore në kuadër të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Kontraktori në fjalë ka rezultuar në vonesë të konsiderueshme për përmbushjen e detyrimeve të tij, në shkelje të afateve të përcaktuara kontraktualisht. Për këtë arsye, shoqëria koncesionare ka ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me këtë kontraktor, në përputhje me kushtet e kontratës dhe detyrimet përkatëse.
Theksojmë se çdo pretendim apo interpretimet që e lidhë këtë situatë me marrëdhëniet ndërmjet ortakëve është i pavërtetë dhe dezinformues. Kjo është thjeshtë një çështje kontraktuale ndërmjet shoqërisë koncesionare dhe një prej kontraktorëve të shumtë të angazhuar në projekt.
Shoqëria koncesionare mbetet e përkushtuar për vijimin e punimeve dhe realizimin e projektit të Aeroportit të Vlorës në përputhje me standardet, afatet dhe detyrimet kontraktuale.
Ju faleminderit për mirëkukuptim,
Shoqëria Koncesionare
Vlora International Airport”, thuhet në reagim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




