Hetimi për tenderat, ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK
Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Karçanaj po hetohet nga SPAK për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë. Ajo ndiqet në gjendje të lirë, pasi masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” është zëvendësuar me masat “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Më herët, SPAK goditi një skemë të dyshuar për manipulimin e tenderëve në AKSHI, duke lëshuar tetë masa sigurie.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi arrest shtëpie për zv.drejtoreshën Hava Delibashi, ndërsa masën “Arrest në burg” për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.
Po ashtu, u vendos pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit për zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. Ndërkohë, për Andis Papën, Gëzim Hoxhën dhe Rogers Rrytën u caktua masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Sipas SPAK, personat e përfshirë dyshohen se kanë favorizuar kompani të caktuara në procedurat e tenderëve publikë, duke dëmtuar konkurrencën e barabartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




