Alis falënderon publikun pas Eurovisionit: Këtë eksperiencë do ta mbaj gjithmonë në zemër

Shqipëria u rendit në vendin e 13-të në Eurovision, që këtë vit u zhvillua në Wiener Stadhalle të Vjenë, me këngën “Nan” të interpretuar nga Alis. Performanca shqiptare u vlerësua edhe nga Associated Press si një ndër 10 performancat më të mira të festivalit.
Në reagimin e tij të parë në rrjetin e tij social pas përfundimit të garës, Alis e cilësoi pjesëmarrjen në Eurovision si një eksperiencë që do ta mbajë gjithmonë në zemër, ndërsa falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme.
Këngëtari u shpreh se në fillim të këtij rrugëtimi kishte shumë pikëpyetje dhe pasiguri, sidomos si një artist i ri në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare, ku përveç emrit të tij mbante edhe përgjegjësinë e përfaqësimit të Shqipërisë.
“Kur nisi gjithçka, mu duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime dhe shpesh mendoja me vete nëse do arrija ta realizoja tamam ashtu siç e kisha ëndërruar. Sidomos si një artist i ri, pa shumë eksperiencë në një skene kaq të madhe si Eurovisioni, ku nuk mban vetëm emrin tënd, por edhe peshën dhe krenarinë e përfaqësimit të një shteti të tërë.
Por gjatë gjithë këtij rrugëtimi, ajo që më ka dhënë më shumë forcë keni qenë ju. Mbështetja, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalët tuaja kanë pasur një vlerë që nuk di ta shpjegoj me fjalë. Në çdo moment kam ndjerë që nuk isha vetëm dhe kjo është ndjesia më e bukur që mund të marrë një artist.
Faleminderit secilit prej jush që besoi tek unë dhe tek muzika ime. Faleminderit që më keni bërë të ndihem krenar në çdo hap të këtij udhëtimi dhe që ma keni kthyer këtë eksperiencë në diçka që do ta mbaj gjithmonë në zemër.
Kam mësuar shumë nga ky rrugëtim, kam përjetuar emocione që nuk harrohen dhe mbi të gjitha kam kuptuar sa e fortë është ndjenja kur ke njerëz që të mbështesin me gjithë zemër. Ky rrugëtim nuk do kishte të njëjtin kuptim pa ju”, shkruan këngëtari.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




