Kuvend- Shtyhen interpelancat me kryeministrin Rama dhe ministrin Lamallari

Ka nisur seanca e sotme plenare, ndërsa Interpelancat e parashikuara në rend dite, 2 me kryeministrin Edi Rama dhe 1 me Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, do të shtyhen.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi bëri me dije se interpelancat nuk mund të zhvillohen sot për shkak të angazhimeve shtetërore të kryeministrit Rama dhe ministrit Lamallari. Ato do të zhvillohen në seancën e radhës.
Deputetët e Grupit Parlamentar demokrat kishin kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama dhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Besfor Lamallari.
Po ashtu, interpelancë me kryeministrin Rama ishte kërkuar edhe nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri.
Seanca përfshin edhe një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, të kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
Ndër projektligjet që do të shqyrtohen janë ratifikimi i kontratës financiare me Bankën Evropiane të Investimeve për projektin “Porta e Alpeve”, ndryshime në ligjin për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor, ndryshime në ligjin për burimet ujore, si dhe disa amendime në Rregulloren e Kuvendit.
Në përfundim të seancës janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




