Ligji për Policinë e Shtetit drejt ndryshimit: Kryepolici kthehet sërish në detyrë pas përfundimit të mandatit
Dokumenti që shihni është Projekt-ligji më i ri, i cili u depozitua në Kuvend nga deputeti socialist Bujar Rexha e që prek drejtpërdrejt Policinë e Shtetit.
Thelbi i këtij projektligji janë disa ndryshime, të cilat prekin jo vetëm rolin zbatues në dikasterin blu, por edhe drejtuesit e tij.
Sipas projektligjit të ri, kërkohet heqja e garës për postet kryesore te blutë, përveç drejtuesit madhor.
“Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetin e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tej zgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje. Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese, atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, drejtorit të departamentit, drejtuesit vendor dhe deri tek shefi i një komisariati”
Për drejtuesin e Policisë së Shtetit, në rast se dorëhiqet apo shkarkohet, ky projekt-ligj parasheh rikthimin e tij, përmes dhënies së gradës “drejtues i parë”.
“Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vlerësimi për krijimin e hapësirave ligjore për vijimin e tij në strukturat policore, mundëson që kjo eksperiencë të mos humbasë, por të përdoret në funksione këshillimore, pedagogjike në Akademi, apo si oficer kontakti. Kjo i përgjigjet nevojës që dija menaxheriale të vijojë t’i shërbejë institucionit, pa cenuar autoritetin e drejtuesit pasardhës”
Lidhur me drejtuesit e Departamenteve në Polici, mandati ulet nga 4 në 3 vjet dhe pas përfundimit të mandatit, me të drejtë rikandidimi për një mandat të dytë. Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave.
“Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate. Në këtë këndvështrim, me synimin për një sistem më fleksibël, vlerësohet ulja e afatit të qëndrimit në këto grada, duke shmangur kohën si element formal dhe zhvendosur fokusin te performanca. Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti, i cili jep rezultate në hetimin e krimit apo në rendin publik, t’i nënshtrohet një afati kaq të gjatë, ndërkohë që ka nevoja emergjente për të plotësuar vendet vakante në nivelin drejtues”.
Ky projekt-ligj pritet që të kalojë në komisionet parlamentare, dhe nëse merr konfirmimin e ligjvënësve, brenda sesionit parlamentar pritet votimi në Kuvend dhe hyrja në fuqi.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




