Rama viziton Japoninë, pritet nga kryeministrja Sanae Takaichi. Diskutohet thellimi i partneritetit strategjik

Politikë | 5 muaj më parë

Pas vizitës në Korenë e Jugut, kryeministri Edi Rama viziton Japoninë, ku rrugët e Tokios janë dekoruar me flamujt kuqezi dhe flamujt e Japonisë.

Vizita zhvillohet me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Japonisë, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik mes dy vendeve.

Gjatë qëndrimit në Japoni, kryeministri Rama do të zhvillojë takime me autoritetet më të larta japoneze dhe do të marrë pjesë në aktivitete institucionale e ekonomike.

Sipas agjendës zyrtare, kryeministri Rama do të pritet me Gardë Nderi nga kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi.

Dy liderët do të zhvillojnë një takim bilateral, i fokusuar në thellimin e partneritetit strategjik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Kryeministri Rama do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”, mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, transformimet globale dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e qëndrueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme