Sulm masiv rus ndaj Kievit, një i vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Goditet edhe rezidenca ku banon ambasadori shqiptar

Një person ka humbur jetën dhe të paktën 21 të tjerë janë plagosur pasi Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me raketa balistike dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Mes objekteve të goditura ishte edhe kompleksi rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Ukrainë.
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan gjatë gjithë natës në Kiev, ndërsa autoritetet lokale raportuan dëme në disa zona të qytetit, përfshirë ndërtesa banimi, shkolla, magazina, një supermarket dhe një qendër tregtare.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se një 15-vjeçar është mes të plagosurve, ndërsa 13 persona janë transportuar në spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas administratës ushtarake të Kievit, sulmet goditën më shumë se 40 pika në të gjithë qytetin. Kreu i administratës ushtarake, Tymur Tkachenko, paralajmëroi se “kryeqyteti i është nënshtruar një sulmi masiv balistik” dhe se lëshime të tjera raketash mund të pasojnë.
Në mesin e objekteve të prekura nga bombardimet ishte edhe kompleksi rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, duke vënë në rrezik jetën e tij dhe të stafit diplomatik.
Pas ngjarjes ka reaguar Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili dënoi ashpër sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe e cilësoi goditjen e rezidencës së ambasadorit shqiptar si “të papranueshme”.
Sulmet e fundit vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, premtoi hakmarrje duke akuzuar Ukrainën për një sulm në qytetin Starobilsk, ku sipas autoriteteve ruse humbën jetën 18 persona në një konvikt studentor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




