Aksident në Vaqarr, përplasen dy automjete, plagosen gjashtë fëmijë dhe një drejtuese mjeti

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e shtatë personave ka ndodhur mbrëmjen e sotme në periferi të kryeqytetit. Sipas të dhënave të para zyrtare të përcaktuara në informacionin paraprak të Policisë së Shtetit, ngjarja është regjistruar rreth orës 19:05 në Vaqarr.
Përplasja ka ndodhur midis dy automjeteve: një mjeti që drejtohej nga shtetasja Xh. Sh. dhe një automjeti tjetër me drejtues shtetasin A. P.
Si pasojë e forcës së goditjes, dëmtimet më të mëdha janë regjistruar në mjetin e parë. Policia konfirmoi se kanë mbetur të plagosur gjashtë pasagjerë të mitur dhe vetë drejtuesja e mjetit.
“Janë dëmtuar gjashtë fëmijë të moshave nga 6 deri në 10 vjeç, të cilët po udhëtonin në automjetin me drejtuese shtetasen Xh. Sh. Edhe shtetasja Xh. Sh. ka pësuar gjithashtu dëmtime nga përplasja.”, njofton policia.
Të gjithë të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve spitalore, të dëmtuarit aktualisht “po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën”.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor i Policisë Rrugore për të kryer ekspertizën teknike dhe për të menaxhuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. Policia sqaroi se “grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të përplasjes dhe shkallës së përgjegjësisë së secilit drejtues mjeti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




