Autobusët me sistem POS, Shoqata: Nëse aplikohet do të ketë rritje të biletës

Aktualitet | 5 muaj më parë

Shoqata e Transportit Ndërurban shprehet e shqetësuar lidhur me pajisjen e operatorëve të transportit publik me sistemin POS. Sipas kreut të kësaj shoqate, Kostandin Foni, nëse qytetarët paguajnë me kartë bankare dhe jo cash, kostoja e transaksionit do të rëndojë mbi çmimin e biletës.

“Në rast se qytetarët do të përdorin transportin publik, si atë qytetas ashtu edhe atë interurban, do të ketë disa tarifa të shtuara në lidhje me këtë sistem. Pra, nëse do të zgjedhin mënyrën e pagesës nëpërmjet kartës bankare, atëherë do të ketë disa kosto shtesë. Tarifa është fikse, 30 ALL për çdo lloj transaksioni. Nuk bën logjikë financiare që një biletë 40 lekë të shkojë deri në 2500 ALL, po të llogarisim të gjitha kostot që ka banka për mirëmbajtjen e këtij sistemi”, tha Foni.

Nga ana tjetër, kreu i shoqatës, ka kërkuar nga ministritë e linjës sqarime për mënyrën e zbatimit të sistemit dhe për atë se kush do të mbulojë kostot e shtuara.

“Këto kosto dikush duhet t’i paguajë. Prandaj kemi kërkuar një informacion më të detajuar se si do të funksionojë ky shërbim dhe kujt do t’i faturohen këto kosto. Pra, a do t’i paguajë qytetari në momentin që kryen transaksionin, apo do të ketë një kompensim për operatorët e transportit publik në lidhje me këtë sistem të ri, të cilin tatimet i detyrojnë tatimpaguesit ta vendosin në çdo mjet të transportit publik”, tha Foni

Megjithatë, shoqata e vlerëson nismën për formalizimin e tregut, por propozon një analizë më të thelluar ekonomike dhe teknike, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të këtij sektori.

RTSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme