Irani i frikësuar nga përsëritja e skenarit të vitit 2023, kërkon garanci për fondet e ngrira

Shenjat e përparimit të vërejtura ditët e fundit në negociatat mes SHBA-së dhe Iranit janë zbehur, duke u zëvendësuar nga kujdesi ekstrem i Teheranit.
Çështja e lirimit të fondeve të ngrira iraniane jashtë vendit mbetet e pazgjidhur dhe e pakënaqshme për të dyja palët.
Një burim iranian ka theksuar se përvoja e mëparshme e lirimit të fondeve në Korenë e Jugut e ka shtyrë Teheranin të kërkojë ndjekjen e saktë të çdo hapi, për të shmangur përsëritjen e ndërlikimeve.
Burimi shtoi se vizita e kryenegociatorit dhe kryetarit të Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, në Doha javën e kaluar, u mbështet mbi këtë përvojë dhe arriti rezultate të mira për të siguruar akses të pandërprerë në fondet e ngrira.
Megjithatë, Teherani e trajton çështjen me kujdes ekstrem, duke e konsideruar SHBA-në si një “palë të keqe”. Katari ndërkohë mohoi raportet izraelite se i kishte ofruar Iranit një kredi prej 12 miliardë dollarësh për të siguruar një marrëveshje paqeje.
Skenari i frikësuar nga Irani
Irani është i shqetësuar për një përsëritje të përvojës së vitit 2023, kur fondet e ngrira në Korenë e Jugut, rreth 7 miliardë dollarë nga eksportet e naftës, u reduktuan në 6 miliardë për shkak të kursit të këmbimit.
Ato u bllokuan pas rivendosjes së sanksioneve amerikane në vitin 2018, kur bankat hezituan të lejonin Teheranin të përdorte fondet.
Në vitin 2023, përmes ndërmjetësimit të Katarit dhe Omanit, u arrit një marrëveshje indirekte mes SHBA-së dhe Iranit: shkëmbimi i 5 të burgosurve amerikanë me 5 iranianë, duke i lejuar Iranit qasje në fondet e ngrira.
Por kjo qasje ishte e kufizuar, fondet mund të përdorej vetëm për mallra humanitare si ushqime, ilaçe dhe pajisje mjekësore. Pagesat kryheshin drejtpërdrejt nga Katari tek furnizuesit, nën mbikëqyrjen e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Pas sulmit të 7 tetorit 2023, fondet u ngrinë përsëri.
Mekanizmi i kufizuar
Irani nuk mori para në dorë, por vetëm një mekanizëm pagese për mallra humanitare. Kjo përvojë tregoi se fondet e ngrira mund të liroheshin pa hequr sanksionet amerikane, por gjithashtu se ky lirim mund të ndalohej në çdo moment. Prandaj, Teherani po e trajton me kujdes të madh çdo hap të ri në negociatat aktuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




