Sulmi me dron në Galați, Rumania dëbon diplomatin rus, i vë “drynin” konsullatës në Konstanca

Botë | 5 muaj më parë

Rumania ka shpallur “persona non grata” konsullin e përgjithshëm rus në qytetin bregdetar të Konstancës, një vendim që nënkupton largimin e tij nga vendi dhe mbylljen e pritshme të konsullatës ruse në këtë qytet.

Vendimi u bë publik nga presidenti rumun Nicușor Dan pas mbledhjes së Këshillit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare, si reagim ndaj një incidenti me dron rus që goditi një pallat banimi në Galați, duke lënë të plagosur dy persona.

Sipas presidentit rumun, droni ishte pjesë e një “tufe” prej 43 dronësh të lëshuar drejt objektivave në Ukrainë. Ai kritikoi gjithashtu disa politikanë rumunë, të cilët sipas tij janë përpjekur të minimizojnë përgjegjësinë e Rusisë për incidentin.

Dan theksoi se reagimi i përbashkët i aleatëve të NATO përbën një shfaqje të fortë solidariteti ndaj Rumanisë. Ai njoftoi gjithashtu se Aleanca do të zhvendosë një pjesë të sistemeve të saj të mbrojtjes ajrore në territorin rumun si një zgjidhje e përkohshme, deri në modernizimin e sistemeve vendase të mbrojtjes, proces që do të mbështetet edhe nga fondet e skemës europiane SAFE.

“Një pjesë e pajisjeve ka mbërritur tashmë, ndërsa të tjera pritet të mbërrijnë së shpejti. Në bisedën që pata me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, kërkova që procesi të përshpejtohet dhe ai ishte plotësisht dakord që këto pajisje të mbërrijnë në Rumani sa më shpejt”, deklaroi presidenti rumun.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme