“Nuk ndryshon numri i skuadrave”. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Një sezon i gjatë, Egnatia e meritoi

Presidenti i FSHf-së, Armand Duka ka folur për mikrofonët e RTSH pas shpalljes së Egnatias kampione e Shqipërisë për të tretin sezon radhazi.
“Një sezon relativisht i gjatë, në fund të majit të gjitha kampionatet kanë përfunduar, por ishte i bukur dhe kompetitiv gjatë gjithë javëve ku deri në ditën e fundit tri skuadra ishin pretendente për titull. Njëra do fitonte, fati i buzëqeshi Egnatias, por edhe kontributi, pasi fitoi edhe ndeshjet e Final Four. Për mua një kampionat i bukur, me garë, por edhe në luftën për rënien nga Kategoria”.
“Ku të shkoja për dhënien e titullit? Ishte e vështirë, por rezultati i pjesës së parë në Elbasan i dha një drejtim, që ne të vinim për të organizuar ceremoninë. Mendoj se kështu është bukur, sepse gjëja më e bukur që ka futbolli është emocioni deri në minutën e fundit”.
Final Four s’do të jetë më, kampionat me më shumë ekipe? “Është e pamundur për edicionin e ardhshëm që të kemi një ndryshim të numrit të skuadrave, për shkak të rregullave të FSHF-së. Ndërsa për formatin, është diçka që ne duhet ta diskutojmë. Mesa duket, le të themi tifozëritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë”.
“Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme, sigurisht e ka penalizuar mospjesëmarrja e Partizanit dhe Tiranës. Kështu që, për edicionin tjetër do të rishohim se çfarë formati do të kemi. Skuadra nuk do të shtohen në edicionin 2026/2027, nuk e di nëse do të luajnë katër faza apo do të ketë play off. Do i shohim të gjitha versionet dhe do të marrim një vendim, do e vendosim brenda 15 ditëve të para të qershorit”.
Egnatia për herë të 3-të kampione? “Do të më pëlqente që të kishte shpërndarje, por nuk është vendim që e marrim ne. E marrin vetë ekipet me atë që japin në fushë. Kisha vërtetë dëshirë që të ishte një nga skuadrat, Elbasani ose Vllaznia që e pret prej shumë vitesh këtë titull. Por ky është futbolli, nuk ka të mëdhenj dhe të vegjël”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




