Bashkëpunim Shqipëri-Izrael për laboratorë dhe teknologji në sigurinë ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe institucionet homologe izraelite do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, me fokus shkëmbimin e eksperiencave dhe adoptimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Drejtoresha e përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, priti sot në ambientet e institucionit një delegacion izraelit të kryesuar nga ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, e shoqëruar nga Oren Lavi, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore të Izraelit, si edhe Yuval Lipkin, kreu i Administratës së Sigurisë Ushqimore të Izraelit.
Gjatw takimit, Gjylameti theksoi se fokusi ishte bashkëpunimi dypalësh dhe shkëmbimi i eksperiencave për ndërtimin e një modeli sa më efikas në fushën e sigurisë ushqimore.
“Qëllimi ynë është garantimi i standardeve gjithnjë e më të larta të sigurisë ushqimore për konsumatorët, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare,” – u shpreh Gjylameti.
Ajo shtoi se AKU është e gatshme të përmbushë objektivat e përbashkëta, duke vënë theksin te rritja e kapaciteteve profesionale, modernizimi i infrastrukturës laboratorike dhe përdorimi i teknologjive të avancuara.
Në një reagim në rrjetet sociale, AKU e cilësoi takimin si “një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes institucioneve të të dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë ushqimore”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




