Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” dhe plagosja e tjetrit, Lamallari: Akt i rëndë kriminal, autori s’do ketë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Maliq, ku gjatë një operacioni për arrestimin e një të kërkuari për drogë, u qëllua për vdekje një efektiv i “Shqiponjave” dhe u plagos një tjetër.

Ministri ka dënuar ngjarjen, duke e cilësuar si akt kriminal të rëndë dhe një sulm ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë. Ai garantoi se autori do të përballet me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi që t’i shpëtojë drejtësisë.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.

Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë’, shkruan Lamallari në rrjetin social Facebook.

Më tej ministri u shprehu ngushëllimet familjes së efektivit të vrarë Enea Mekolli, duke theksuar se sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Lamallari garantoi se sakrifica e efektivit Mekolli do të kujtohet me respekt e mirënjohje.

“Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij.

Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, tha ministri.

Një efektiv i forcës “Shqiponja”, 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.

Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme