Plagosja e efektivit/ Ministri Lamallari te Trauma: Gjendja mbetet e stabilizuar, po bëhet e pamundura nga stafi mjekësor. Po kryejmë hetim të thellë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi sot në Spitalin e Traumës efektivin e Policisë së Shtetit, i cili u plagos gjatë përballjes me krimin.

Në një prononcim për mediat, Lamallari shprehu ngushëllimet më të thella për familjen e efektivit Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë ngjarjes, duke e cilësuar si një humbje të madhe për familjen, Policinë e Shtetit dhe shtetin shqiptar.

“Ngushëllime familjes së Eneas, i cili humbi jetën sot në përballje me krimin. Humbje e madhe për familjen, organizatën e policisë dhe shtetin shqiptar; humbëm një shërbytor të ligjit. Vizitoj nga afër të plagosurin, takova stafin mjekësor dhe familjen. Do bëjmë të pamundurën që gjendja e tij të mbetet e stabilizuar,” deklaroi Lamallari.

Ministri Lamallari u angazhua që të sigurohet për trajtimin më të mirë mjekësor të efektivit të plagosur dhe garantoi mbështetje për familjen e të ndjerit, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së punonjësve të policisë në mbrojtje të qytetarëve dhe ligjit.

Lamallari bëri me dije se ka nisur një hetim i thellë dhe i plotë mbi përgjegjësitë disiplinore dhe ligjore.

“Kam kërkuar nisjen e procedurave. Sot kemi 233 efektivë policie që janë martirë të policisë. Nuk duhej ky rast. Fatkeqësi për familjen dhe shtetin shqiptar. Në komunikim me drejtorin e përgjithshëm kam kërkuar të bëhet një vlerësim katërcipërisht i plotë i situatës, i respektimit të protokolleve dhe marrjes së veprimeve të duhura disiplinore, konform ligjit dhe përgjegjësisë për menaxhimin e situatës. Jemi pranë familjes së policit të plagosur për çdo mbështetje të nevojshme. Çdo situatë e tillë kërkon vëmendje maksimale dhe hetim të thelluar mbi përgjegjësitë disiplinore dhe ligjore. Ju siguroj se hetimi po vijon. Drejtori i përgjithshëm është nisur drejt Korçës. Do i bashkohem edhe unë”, tha ministri.

Ai bëri me dije se efektivi i plagosur ka marrë dëmtime në qafë dhe në nofull, ndërsa siguroi se gjendja e tij mbetet e stabilizuar.

“Dëmtimet janë në nofull dhe në qafë. Po bëjmë të pamundurën për të trajtuar të gjitha dëmtimet që kanë ardhur nga ngjarja. Gjendja paraqitet e stabilizuar”, shtoi ai.

Një efektiv i forcës “Shqiponja”, 34-vjeçari Enea Mekolli, mbeti i vrarë gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, Maliq, për arrestimin e të shumëkërkuarit Violand Braçellari. Gjatë rrethimit të stanit ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i bëri thirrje të dorëzohej, por ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke vrarë Mekollin dhe plagosur një tjetër punonjës policie, 36-vjeçarin E.A.

Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur Braçellarin, i cili më pas u arrestua. I kërkuari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet e 11 muaj burg për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vendngjarje u nis edhe helikopteri i shëndetësisë për transportimin e të plagosurve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme