Ibrahimaj: Marrëveshja me Poloninë garanton pensionet dhe përfitimet sociale për qytetarët shqiptarë

Ekonomi | 5 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore.

Ajo theksoi se kjo marrëveshje garanton njohjen e kontributeve dhe të drejtave sociale për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit, duke krijuar bazën ligjore për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore mes dy vendeve.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale dhe asaj që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit.”

Ministrja nënvizoi se kjo është marrëveshja e 21-të dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, 10 prej të cilave me shtete anëtare të BE-së.

Ajo përfshin pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare, përfitimet për sëmundje e barrëlindje, kompensimet për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, pagesat e papunësisë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar.

“Vetëm gjatë vitit 2025, importet nga Polonia arritën në 216 milionë euro, me një rritje prej 9.9%, ndërsa eksportet shqiptare drejt Polonisë u rritën me 6.3%, duke arritur vlerën 26 milionë euro. Në të njëjtën kohë, stoku i investimeve direkte polake në Shqipëri arriti në 101 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, vetëm gjatë tre viteve të fundit kanë qenë të punësuar në Shqipëri 260 shtetas polakë, konkretisht 89 në vitin 2023, 84 në vitin 2024 dhe 87 në vitin 2025”, theksoi Ibrahimaj.

Ibrahimaj solli edhe të dhëna mbi marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke theksuar rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve polake në Shqipëri, si dhe praninë e 137 kompanive me kapital polak në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Më tej ministrja u ndal tek fushat që mbulon kjo marrëveshje si: pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje, përfitimet nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pagesat e papunësisë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar.

Kjo marrëveshje, tha Ibrahimaj, ka edhe një rëndësi strategjike për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje mbështetet në rregulloret europiane që garantojnë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sociale. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një investim në sigurinë sociale të qytetarëve tanë, në mbrojtjen e kontributit të tyre dhe në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ajo dëshmon se procesi i integrimit europian prek drejtpërdrejt jetën e njerëzve, duke sjellë më shumë të drejta, më shumë siguri dhe më shumë mundësi për qytetarët shqiptarë”.

Ministrja e cilësoi marrëveshjen si një hap me rëndësi strategjike për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pasi mbështetet në rregulloret e BE-së për lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave sociale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme