35- vjetori i themelimit të PS-së, Rama takim në Vlorë në “Sheshin e Flamurit”: Investimi në Zvërnec do jetë bekim për ekonominë e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama ka vijuar agjendën e takimeve festive në kuadër të 35- vjetorit të themelimit të PS, duke u ndalur në qytetin e Vlorës. Ky organizim në “Sheshin e Flamurit” shënon stacionin e radhës të strukturave socialiste në kuadër të përvjetorit të themelimit të forcës së tyre politike, duke bërë bashkë përfaqësues të niveleve të ndryshme të organizimit partiak dhe qeverisës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS, Edi Rama, theksoi rëndësinë e vendimeve politike dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e një vendi.
“Dua t’ju them që sot erdha këtu nga Tivati i Malit të Zi, dhe gjithë kohës kam menduar se si e ndryshon rrugën e një vendi një moment, dhe se si një vendim i gabuar apo sjellja e gabuar e atyre që vendosin, mund të spostojë rrugën e së ardhmes nga një vend, në një tjetër,” – u shpreh Rama.
Ai bëri krahasime mes zhvillimeve në rajon dhe perspektivës së Shqipërisë në rrugën europiane, duke e cilësuar Porto Montenegron si një projekt transformues për Malin e Zi.
Rama kujtoi se investitori që ndërtoi këtë kompleks kishte synuar fillimisht të zhvillonte një port turistik në Durrës, por u detyrua të largohej për shkak të mungesës së mbështetjes.
“Gjithmonë refuzoja të shkoja sepse nuk doja të përjetoja atë që kam përjetuar dje dhe sot. Natyrisht që Tivati është vend i bukur, por si ai vend, Vlora ka çdo gjë të saj. Para se sa Tivati, i cili ishte një qytezë ku nuk shkonin turistë, sepse konsiderohej si bregdet i nivelit të ulët, erdhën në Shqipëri ata që e transformuan Tivatin, që sot numëron 5 milion turistë në vit.”
Rama shtoi se në vitin 2009–2010 investitorët erdhën në Shqipëri, por “e gjetën derën mbyllur”.
Ata kishin synuar të ndërtonin një port turistik në Durrës, duke e lidhur me Amfiteatrin e madh romak, projekt që sipas tij do të transformonte jo vetëm Durrësin, por gjithë Shqipërinë.
“Nuk e bëri dot në Shqipëri, por e bëri në Tivat. Dhe në atë zonë, nga 400 euro metri katror kur nisi historia, sot është 12 mijë euro, ndërsa në qytezën e Tivatit 4 mijë euro.”
Sikurse tha ai, kjo është një dëshmi e humbjes së një mundësie të madhe për Shqipërinë, por edhe një reflektim mbi rëndësinë e vendimeve të duhura për të ardhmen e vendit.
Më tej, deklaroi se investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e Shqipërisë.
“Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë jo vetëm për Vlorën. Investimi në Zvërnec do të jetë një bekim për ekonominë e gjithë vendit.
Ai shtoi se vendet ngecin gjithashtu kur udhëhiqen nga sharlatanë, të cilët thonë: ‘Vendi është i juaji’.
“Ai investim, nuk do sjellë vetëm paratë, nuk do ndërtojë vetëm vilat e hotelet, por do sjellë një vlerë të shumëfishuar në të gjithë këta komponentë jashtë kufijve të tij. Është kjo që transformon me themel ekonomitë. Jo ëndrrat e varfra. Vendet nuk ngecin nga varfëria. Varfëria sulmohet, varfëria mundet, kapërcehet. Vendet ngecin kur kanë varfëri në ëndrra. Popujt ngecin nga njerëz që janë të varfër në ëndrra dhe që janë të pangopur në interesat e tyre. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga sharlatanë, si ata që ju thonë se ky vend është vetëm i juaj. Ky vend është vetëm i juaji i thoshte Hitleri gjermanëve dhe ju e dini si mbaroi historia. Si një nga popujt më me kulturë, u mbulua nga një re e zezë”, tha ndër të tjera Rama.
Në fjalën e mbajtur, kryeministri Edi Rama u ndal te rëndësia e investimeve strategjike dhe sfidat që shoqërojnë zhvillimin e vendit. Ai kundërshtoi sloganin “Shqipëria e shqiptarëve”, duke e cilësuar si një qasje të gabuar që pengon progresin.
“Nuk kanë bërë prokopi kurrë në asnjë rast popujt që janë udhëhequr nga delire dhe sharlatanizma. Shqipëria ishte e shqiptarëve kur u bë bunker, kur mori detet dhe malet i reckosur. Shqiptarët për Shqipërinë, jo Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve është si të thuash ‘shtëpia ime është vetëm e imja’. Nuk është kjo ajo që ka nevojë Shqipëria.”
Rama theksoi se vendi ka nevojë për respekt dhe për hapje ndaj diversitetit, duke përmendur se turizmi është një sektor që po përballet me mungesë fuqie punëtore. Ai shtoi se pagat në hotelet dhe restorantet e bregdetit shqiptar janë të krahasueshme, madje në disa raste më të larta se ato në Greqi.
“Në bregdetin tonë, nga Dhërmiu deri në Ksamil, pagat janë njësoj ose pak më të larta se në Greqi. Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin.”
Kryeministri u ndal edhe te çështja e pronave, duke theksuar se qeveria ka bërë përpjekje për të vendosur rregull, ndërsa mohoi akuzat se po shitet territori i vendit.
“Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani. Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar. Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë.”
Në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, i deleguari politik në qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, theksoi se PS ka qenë gjithmonë shembull transformimi dhe modernizimi.
Ai u shpreh se që prej vitit 1991, kjo forcë politike ka treguar se si një vend mund të ecë drejt së ardhmes, duke u renditur sot mes partive simotra europiane.
“Partia Socialiste që prej ’91 ka dhënë vetëm shembuj transformimi të vetes së saj dhe vetëm shembuj se si mund të shkojë një vend drejt së ardhmes. Sot nderojmë të gjithë ata që kanë pasur guximin që të kthejnë një forcë të ardhur nga e kaluara jo shumë e bukur politike në një forcë politike për t’u renditur me simotrat e saj europiane.”
Çuçi nderoi kontributin e atyre që patën guximin të shndërrojnë një forcë të ardhur nga një e kaluar jo fort e bukur politike, në një parti të konsoliduar dhe të emancipuar.
Ai kujtoi se sot PS vjen më e fortë se kurrë, me 83 mandate në Parlament, me 54 kryetarë bashkish nga 61 që ka Shqipëria, si dhe me një përfaqësim të barabartë në të gjitha instancat e saj, nga organizatat bazë deri në kryesinë e partisë.
“Sot Partia Socialiste e Shqipërisë vjen më e fortë dhe ajo sot vjen me 83 mandate në parlament, vjen me 54 kryetarë bashkish, nga 61 që ka Shqipëria, vjen e konsoliduar në të gjitha këshillat bashkiak dhe mbi të gjitha më e emancipuar se kurrë. Sot kemi një përfaqësim të barabartë në të gjitha instancat e PS duke nisur që nga qelizat e organizatave dhe deri në kryesinë e PS.”
Në fjalën e tij, Çuçi theksoi se ky sukses është rezultat i lidershipit që ka udhëhequr PS ndër vite. Ai përmendi rolin e ish-kryetarit Fatos Nano, i cili nisi modernizimin e partisë, si dhe pasardhësin e tij, kryeministrin aktual Edi Rama, që ka transformuar jo vetëm PS-në, por edhe Shqipërinë.
Ky përvjetor, sipas Çuçit, është dëshmi e rrugëtimit të Partisë Socialiste, e cila sot paraqitet si një forcë politike e konsoliduar, moderne dhe e gatshme për të udhëhequr vendin drejt së ardhmes.
../rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




