U-21/ Shqipëria barazon ndaj Sllovenisë në “Ajdovščina”

Kombëtarja | 5 muaj më parë

Kombëtarja shqiptare U-21 barazoi 1-1 ndaj Sllovenisë U-21 në ndeshjen e parë miqësore të muajit qershor, e zhvilluar në stadiumin “Ajdovščina”.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi zhvilluan një paraqitje pozitive, duke treguar karakter dhe organizim përballë një kundërshtari cilësor.

Shqipëria e nisi takimin me formacionin: Giulio Veliaj (GK), Arlind Kurti, Ervin Bashi, Zylyf Muça, Elton Fikaj, Enes Osmani, Burak Alili, Feta Fetai (C), Etnik Brruti, Erald Maksuti dhe Kevin Dodaj.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dy skuadrat që kërkuan të kontrollonin lojën. Në minutën e 25-të, Feta Fetai fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Etnik Brruti, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë.

Pak minuta më vonë, kuqezinjtë iu afruan edhe golit të dytë, por tentativa e Burak Alilit u ndal nga portieri slloven.

Në pjesën e dytë, vendasit arritën të barazonin shifrat me Leo Rimac. Megjithatë, Shqipëria vazhdoi të kërkonte golin e fitores deri në fund të takimit. Ervin Bashi dhe Elmedin Rama krijuan raste të mira shënimi, por pa mundur të finalizonin.

Gjatë pjesës së dytë, trajneri Alban Bushi kreu disa zëvendësime, duke aktivizuar edhe Shehun, Përndrecën, Ramën, Asanin, Tomën, Kacurrin dhe Dakën.

Kombëtarja U-21 do të luajë ndeshjen e dytë miqësore më 8 qershor ndaj Italisë U-21, në stadiumin “Omero Tognon”, duke nisur nga ora 18:15.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme