Vrasja e efektivit të policisë Enea Mekolli në Korçë, detajet e plota nga dosja hetimore. Si u kap i plagosur autori Braçellari

Më datë 4 qershor 2026, rreth orës 07:00 të mëngjesit, në Malin e Bodesë, pranë stallave të shtetasit Violand Braçellari, ka ndodhur një shkëmbim i rëndë zjarri gjatë një operacioni policor, ku ka mbetur i vrarë punonjësi i Policisë Enea Mekolli dhe është plagosur efektivi Edison Adri.
Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë ishin organizuar sipas planit të operacionit dhe ishin afruar në zonë për të kryer rrethimin e strukturave ku dyshohej se ndodhej Braçellari. Violand Braçellari ka hapur zjarr me armë automatike në drejtim të punonjësve të policisë.
Si pasojë e këtij sulmi të menjëhershëm, efektivi Enea Mekolli ka mbetur i vrarë në vend, ndërsa kolegu i tij Edison Adri është plagosur.
Braçellari ka tentuar të largohet me vrap në drejtim të poshtëm të stallave, por është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe është kapur disa metra më poshtë.
“Shtetasi Violand Braçellari ka tentuar të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit është plagosur dhe më pas është kapur disa metra poshtë stallave. Në afërsi të vendit ku është kapur ai është konstatuar një armë automatike model 56, kalibri 7.62 mm, e cila ishte e boshatisur dhe pa fishekë. Arma u gjet me qytën e vendosur, bajonetën në pozicion të mbyllur, thuprën dhe një fragment materiali najloni që imiton rripin e armës. Në një segment të tij, në gjatësi rreth 10 cm, litari paraqiste një njollë me ngjyrë të kuqërremtë, të ngjashme me gjakun. Arma kishte të vendosur një krehër me kapacitet 30 fishekë, i cili në brendësi paraqiste njolla me ngjyrë të kuqërremtë. Leva e ndërrimit të zjarrit ishte në pozicion qitjeje. Pas heqjes së krehërit u konstatua se nuk kishte fishekë”, thuhet në dosjen hetimore.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme gëzhojash model 56, kalibër 7.62 mm, me shenja identike markerimi, të shpërndara kryesisht në zonën përpara stallave (anën e majtë kur shihet nga jashtë) dhe në linjën e largimit të të dyshuarit. Janë evidentuar edhe dy njolla gjaku, nga të cilat janë marrë mostra për ekspertim biologjik.
Trupi i pajetë i efektivit Enea Mekolli është gjetur rreth 8 metra larg murit të stallës së fundit. Ai paraqiste plagë me predha arme zjarri në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë. Ishte i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili kishte dëmtime në pjesën e gjoksit.
“Nga këqyrja në vendngjarje është konstatuar se trupi i pajetë i punonjësit të policisë Enea Mekolli ndodhej rreth 8 metra nga muri i stallës së fundit, i shtrirë në tokë. Nga këqyrja rezultoi se ai kishte dëmtime në pjesën e kokës, qafës, veshit, gjoksit dhe këmbëve, të gjitha të ngjashme me plagë të shkaktuara nga predha arme zjarri. Ai ishte i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste dëmtim në pjesën e gjoksit dhe tek shiritat e supave.
Në trupin e viktimës është gjetur i vendosur edhe arma automatike që kishte për operacionin, me krehër me kapacitet 30 fishekë, ku brenda ndodheshin 29 fishekë, ndërsa një fishek ndodhej në folenë e armës, gjë që sipas dosjes tregon se ai nuk ka arritur të qëllojë me armë. Pas transportimit të trupit në morgun e Spitalit të Korçës për ekzaminime më të hollësishme, është konstatuar edhe një pellg gjaku me diametër rreth 40 cm në vendin ku ishte trupi”, shpjegohet më tej në dosjen hetimore.
Sipas dosjes hetimore, në të njëjtin vend është gjetur edhe një këmishë predhe arme zjarri me ngjyrë metalike bakri, e cila është sekuestruar si provë materiale. Pak metra më tutje, në anën e majtë të stallës, është gjetur një jelek antiplumb tjetër, i ndotur me lëndë të kuqërremtë si gjak, si dhe një radio dore policie, gjithashtu e ndotur me gjak, që i përkasin efektivit të plagosur Edison Adri.
“Në vijim të këqyrjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe gëzhoja të tjera të modelit 56, kalibër 7.62 mm. Në pjesën e pasme të anës së majtë të stallës së parë dhe përpara murit të stallës së dytë janë gjetur edhe 4 gëzhoja metalike bronzi, kalibër 9 mm, me mbishkrim GECP 9mm LUGGER, të cilat janë sekuestruar si prova materiale në lidhje me ngjarjen.
Në vendngjarje janë konstatuar gjithsej 5 armë zjarri me tytë të gjatë dhe 5 jelekë antiplumb të ndotur me gjak dhe baltë, të cilat i përkasin punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Të gjitha armët dhe pajisjet janë sekuestruar për t’iu nënshtruar ekspertimit balistik në lidhje me ngjarjen”, thuhet në dosjen hetimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




