Ankthi tek maturantët/ Bode: Mbështetja prindërore, komunikimi i hapur dhe krijimi i një ambienti të qetë në shtëpi, faktorë ndihmues
Me nisjen e provimeve të Maturës Shtetërore, shumë maturantë përballen me nivele të larta stresi dhe ankthi, si pasojë e ngarkesës emocionale dhe presionit për të arritur rezultate sa më të mira. Specialistët e shëndetit mendor shprehen se kjo është një periudhë e ndjeshme për të rinjtë, ndaj menaxhimi i emocioneve dhe organizimi i kohës janë elementë thelbësorë për të përballuar me sukses provimet.
“Mjedisi duhet të jetë mbështetës, sidomos mjedisi familjar, marrëdhëniet e ngushta, për të kuptuar aftësitë e çdo fëmije dhe kapacitetin për të dhënë, i cili është i ndryshëm. Duhet të respektojë regjimin, oraret e studimit, të pushimit, të argëtimit, të gjumit, ushqyerjen dhe aktivitetin fizik”, deklaroi mjekja psikiatre në QKSHM, Korçë, Nikolina Bode.
Një rol të veçantë në këtë periudhë ka edhe familja. Bode nënvizon se mbështetja prindërore, komunikimi i hapur dhe krijimi i një ambienti të qetë në shtëpi janë faktorë që ndihmojnë të rinjtë të ndihen më të sigurt dhe më pak të ngarkuar emocionalisht.
“Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm me fëmijët që nuk shprehen, fëmijët që ndryshojnë në sjelljen, që ndryshojnë në pjesën emocionale, gjumin, oreksin, ndryshimet e peshës apo që mund të bëhen më të mbyllur, më të izoluar apo më agresiv në këto ditë sezoni të vështira dhe zgjidhjet pastaj janë në varësi të problemit. Nëse shfaqen simptoma shqetësuese, fëmija duhet t’i drejtohet profesionistit, një psikologu apo një terapisti”, shtoi Bode.
Në këtë periudhë specialistët apelojnë për kujdes ndaj shëndetit mendor të maturantëve, duke kujtuar se suksesi nuk varet vetëm nga orët e studimit, por edhe nga balanca mes përgatitjes, pushimit dhe mbështetjes emocionale.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




