RTSH sjell ekskluzivisht serinë dokumentare “Football Nation”, një udhëtim në zemrën e kombeve të futbollit

RTSH vijon të pasurojë programacionin sportiv dhe dokumentar me prodhime ndërkombëtare cilësore. Së shpejti, publiku shqiptar do të ketë mundësinë të ndjekë ekskluzivisht serinë dokumentare “Football Nation”, një nga ciklet më interesante kushtuar kulturës së futbollit në mbarë botën.
Me 30 episode, secili i dedikuar një kombi të ndryshëm, “Football Nation” nuk rrëfen thjesht historinë e ndeshjeve dhe trofeve. Seria eksploron identitetin e vendeve që kanë lënë gjurmë në futbollin botëror, duke treguar lidhjen e veçantë mes popujve dhe ekipeve të tyre kombëtare, heronjtë që kanë frymëzuar breza të tërë, kampionatet vendase dhe traditat që e bëjnë futbollin më shumë se një sport.
Nga Anglia, vendlindja e futbollit modern dhe shtëpia e Premier League, te kombet e tjera që kanë ndërtuar mite, legjenda dhe histori të paharrueshme, dokumentarët sjellin pamje ekskluzive, rrëfime autentike dhe një këndvështrim të ri mbi mënyrën se si futbolli formëson kulturën dhe identitetin kombëtar. Episodi kushtuar Anglisë ndalet te ndikimi historik i kampionëve të botës të vitit 1966 dhe te roli global i kampionatit anglez në zhvillimin e futbollit modern.
Blerja e këtij cikli vjen në prag të një sezoni të pasur futbollistik dhe në kuadër të përgatitjeve të RTSH-së për mbulimin e evenimenteve të mëdha sportive ndërkombëtare. “Football Nation” do t’u japë teleshikuesve mundësinë të zbulojnë historitë që fshihen pas fanellave, himneve dhe emocioneve që bashkojnë miliona njerëz në të gjithë botën.
30 kombe. 30 histori. Një pasion që bashkon botën. Nga 11 qershori në orën 22:15 në RTSH1 HD.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




