Qiratë rrisin inflacionin. Ushqimet dhe shpenzimet për transport mbajnë vendin e dytë dhe të tretë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kostot e jetesës në Shqipëri vijojnë të rriten. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, inflacioni në muajin maj ka arritur në 3 për qind, niveli më i lartë i regjistruar në dy vitet e fundit. Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i qirave, ushqimeve dhe transportit, ndërsa ekspertët vlerësojnë se sezoni turistik dhe zhvillimet ndërkombëtare po ushtrojnë presion shtesë mbi tregun.

“Së pari mendohet se rritja e inflacionit ka ardhur nga rritja e qirave të banesave dhe ka ndikuar 0.84% rritja e qirave të banesave të dhëna për turistët. Faktori i dytë sipas specialistëve që mendohet se ka çuar në rritjen e inflacionit është rritja e çmimit të ushqimeve dhe e treta është rritja e vlerës të themi apo në përqindje e transportit e shpenzimeve të transportit”, tha Prof.Dr.As Antoneta Polo, Pedagoge e Ekonomikut.

Ndërsa të dhënat tregojnë një rritje të përgjithshme të çmimeve në vend, efektet e inflacionit ndihen ndryshe nga një qytet në tjetrin. Gjirokastra, një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të jugut, po përjeton gjithashtu një sezon me kërkesë të lartë për akomodim dhe shërbime.

“Edhe në Gjirokastër kemi rritje të çmimit të qirave, pra të shtëpive të dhëna me qira për turistët, sidomos tani që vjen sezoni veror ka rritje të çmimit të ushqimeve dhe gjithashtu dhe shpenzimet e transportit janë të rritura”, tha ajo.

Ekspertët vlerësojnë se muajt e verës do të jenë vendimtarë për ecurinë e mëtejshëm të inflacionit. Nëse kërkesa turistike dhe presionet nga tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta, çmimet mund të shënojnë rritje të mëtejshme edhe në muajt në vijim. Për qytetarët kjo do të thotë më shumë shpenzime për të njëjtat produkte dhe shërbime, ndërsa për ekonominë mbetet sfidë ruajtja e ekuilibrave mes rritjes së konsumit dhe stabilitetit të çmimeve.

Gazetare: B. Pëllumbi   

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme