Sejko: Ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% gjatë vitit 2025. Inflacioni mbeti i qëndrueshëm, sektori bankar më i fortë se kurrë

Ekonomi | 5 muaj më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, raportoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2025, duke theksuar se ekonomia shqiptare vijoi të shfaqë qëndrueshmëri dhe rritje pozitive. Sipas Sejkos, ekonomia u rrit me 3.8% gjatë vitit të kaluar, e mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, rritja e të ardhurave nga turizmi, kushtet e favorshme financiare dhe zgjerimi i kreditimit.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.8%, i mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, klima pozitive e besimit, rritja e të ardhurave nga turizmi, kushtet e favorshme financiare dhe rritja e kreditimit. Këta faktorë ushqyen rritjen e konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve, ndërsa tregu i punës vijoi të përmirësohej”, deklaroi guvernatori.

Duke u ndalur te inflacioni, Sejko tha se ai mbeti i qëndrueshëm dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.2%, i njëjtë me atë të një viti më parë. Gjatë dy viteve të fundit inflacioni ka qenë i ulët dhe i qëndrueshëm, i ndikuar nga forcimi i kursit të këmbimit dhe rënia e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Guvernatori nënvizoi gjithashtu forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë shqiptare, duke bërë të ditur se eksportet arritën në 10 miliardë euro gjatë vitit 2025. “Vëllimi i eksporteve shqiptare arriti nivelin e 10 miliardë eurove, me një rritje prej 10.5% krahasuar me vitin paraardhës. Paralelisht, deficiti i llogarisë korrente zbriti në 0.7% të PBB-së, ndërsa rezervat valutore arritën në 7.3 miliardë euro”, tha Sejko.

Ai vlerësoi edhe përmirësimin e financave publike, duke theksuar se borxhi publik zbriti në 52.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Përmirësimi i pozicionit fiskal ul kostot e financimit, rrit hapësirat për sektorin privat dhe forcon qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi guvernatori.

Sa i përket sektorit bankar, Sejko tha se ai vijon të mbetet i qëndrueshëm dhe me tregues pozitivë. “Edhe gjatë vitit 2025, sektori bankar shqiptar ruajti një pozicion solid financiar, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie. Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.8%, niveli më i ulët historik që prej vitit 2008”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme