Ekonomiku riorganizon dy programe master, zv.dekania Bajramaj: Diploma të dyfishta me Universitetin e Torinos

“Financë, Kontabilitet dhe Auditim” si dhe “Teknologji Informacioni dhe Menaxhimi i Proceseve të Biznesit” janë dy programet master në Fakultetin e Ekonomisë, të cilat po riorganizohen në bashkëpunim me Universitetin e Torinos. Këto programe do të kalojnë nga mastera profesionalë në mastera shkencorë, duke u dhënë studentëve mundësinë që në përfundim të studimeve të pajisen me diploma të dyfishta.
Zv.dekania e këtij institucioni të arsimit të lartë, Etleva Bajramaj, sqaron se ky riorganizim po bëhet si rezultat i kërkesave të studentëve për këto programe studimi.
“Aktualisht ne kemi shumë programe masteri shkencor dhe profesional, ndër të cilët kemi edhe një program të hapur rishtazi në Zhvillim Ekonomik dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Universitetin e Pavias. Ndërkohë, kemi aplikuar për riorganizimin e dy programeve ekzistuese, të cilat deri tani kanë qenë mastera profesionalë. Duke parë kërkesën e lartë për programe masteri shkencor dhe nevojat e tregut të punës, kemi aplikuar për transformimin e tyre në programe shkencore. Sapo të marrim përgjigjen pozitive, ato do të hapen për aplikime për vijimin e studimeve”, deklaroi zv.dekania.
Prej gjashtë vitesh, të gjitha programet e studimit në Fakultetin e Ekonomisë, përveç gjuhës shqipe, ofrohen edhe në gjuhën angleze. Kjo mundësi u shërben jo vetëm studentëve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet në një gjuhë të huaj, por edhe studentëve ndërkombëtarë që zgjedhin Shqipërinë për të vijuar arsimin e lartë.
“Janë vetë studentët ata që zgjedhin nëse do ta zhvillojnë procesin mësimor në gjuhën shqipe apo në gjuhën angleze. Ka pasur gjithmonë kërkesë dhe programi ka rezultuar i suksesshëm, veçanërisht në tërheqjen e studentëve të huaj përmes programit Erasmus”, shtoi ajo.
Ende nuk është përcaktuar numri i kuotave që do të ofrojë ky institucion i arsimit të lartë për vitin e ardhshëm akademik. Megjithatë, gjatë pesë viteve të fundit, numri i kuotave ka mbetur pothuajse në të njëjtat nivele, me synimin për të garantuar cilësi në mësimdhënie dhe për të ruajtur standardet akademike.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




