Shkodër- Dorëhiqet rektori Tonin Gjuraj, detajon arsyet në shkresën drejtuar ministres së Arsimit

Profesor Doktor Tonin Gjuraj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. I zgjedhur në këtë detyrë në korrik të vitit 2024, dhe i dekretuar nga presidenti i Republikës Bajram Begaj në muajin gusht të të njëjtit vit, Gjuraj ka njoftuar përmes një shkrese ministren e Arsimit Mirela Kumbaro për dorëheqjen e parevokueshme.
Në këtë shkresë, rektori Gjuraj tregon edhe arsyet e vendimit të tij, të lidhura me vendimmarrjet e Bordit të Administrimit.
“Vendimi i Bordit të Administrimit për emërimin e administratorit është, sipas meje, i papranueshëm dhe një qëndrim të tillë, siç dihet, unë e kam bërë publik. Por, kjo thellohet më tej, kur, po ky Bord, pa bazë ligjore, në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese në raport me stafin tjetër akademik e administrativ, merr vendimin për t’i shtyrë moshën e daljes në pension”, shprehet Gjuraj.
“Përveç kësaj, Bordi i Administrimit përfshirë dhe 4 përfaqësuesit e MA në të, injoron dhe hedh poshtë me arrogancë, Raportin Final të Grupit të Punës të ngritur prej jush, pas kërkesës time, për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrative, në vitin 2025, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, shton rektori Gjuraj.
“Mandati që buron nga komuniteti universitar nuk është vetëm një e drejtë për të drejtuar, por një detyrim për ta ushtruar atë me integritet, në respekt të autonomisë universitare dhe në shërbim të universitetit e qytetit të Shkodrës”, shkruan Gjuraj, duke njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.
Pas depozitimit të dorëheqjes në Ministrinë e Arsimit, kjo e fundit vijon procedurën me Presidentin e Republikës, i cili duhet të ç’dekretojë rektorin Gjuraj nga detyra. Paralelisht, një nga zëvendërektorët aktualë, do të komandohet për një periudhë kohore në detyrën e rektorit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




