Shpërndante heroinë dhe kultivonte kanabis në oborr, në pranga 48-vjeçari në Kurbin
Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Kurbinit, i dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë një operacioni të koduar “Veprimtaria”, uniformat blu zbuluan në banesën e tij sasi heroine të gatshme për shpërndarje, si dhe një parcelë me bimë narkotike të kultivuara në oborr.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe kontrolleve intensive në territor.
Si rezultat i ndërhyrjes, u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 48 vjeç, banues në Kurbin. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Fushë-Kuqe, policia gjeti dhe sekuestroi 776 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë, si dhe një peshore elektronike që dyshohet se përdorej për peshimin dhe ndarjen e dozave.
Po ashtu, në oborrin e banesës u konstatuan 144 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara. Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale për nevojat e hetimit.
Sipas policisë, 48-vjeçari dyshohet se furnizonte persona të tjerë dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë në zonë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




