Samiti i G7 në Francë – Ukraina në fokus, Zelensky kërkon më shumë mbështetje
Tre janë çështjet kryesore të samitit të G7 që po mbahet në Evian të Francës dhe pas marrëveshjes së nënshkruar elektronikisht mes SHBA-Iran, Ukraina dhe Gaza pritet të diskutohen. Dita e sotme kryefjalë do të ketë Ukrainën dhe sipas presidentit Volodimir Zelenski, ai do t’u kërkojë liderëve të vendeve më të industrializuara mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe financiare, por edhe forcimin e mbrojtjes ajrore përballë sulmeve ruse.
Presidenti ukrainas Zelenski shpreson edhe për një takim dy palësh me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, dhe kjo pas një bisede telefonike që patën të dy zyrtarët e lartë. Zelenski, që pritet të marrë pjesë në samit, do t’u kërkojë mbështetje financiare por edhe ushtarake liderëve, pasi Rusia vijon të ndërmarrë sulme të mëdha ajrore, sidomos gjatë javëve të fundit.
Edhe gjatë natës së shkuar, sipas autoriteteve ukrainase, janë lëshuar dhjetëra raketa dhe mbi 600 drone drejt Kievit por edhe rajoneve të tjera, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe në objekte historike të kryeqytetit, ndërsa shumë prej tyre u rrëzuan. Ndërkohë, edhe Ukraina ka vijuar kundërsulmet me drone në territorin rus, duke goditur depo karburanti dhe objekte industriale.
Situata në front, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, mbetet e tensionuar, teksa liderët e G7 pritet të diskutojnë për mbështetjen afatgjatë për Kievin dhe hapat e mëtejshëm për t’i dhënë fund konfliktit disa vjeçar.
Mediat ukrainase por edhe të huaja, si The Guardian dhe Kyiv Independent, raportojnë se nga sulmet e shkaktuara në infrastrukturë gjatë natës është dëmtuar kompleksi historik i Peçersk Lavra në Kiev, i njohur si Manastiri i Shpellave, një nga qendrat më të rëndësishme shpirtërore të krishterimit ortodoks në Evropën Lindore. I themeluar në shekullin e 11-të dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ky kompleks konsiderohet simbol i identitetit kulturor dhe fetar në Ukrainë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




