GJKKO rrëzon kërkesat për transmetim live, për prova dhe kushtet në sallën e gjyqit

Aktualitet | 5 muaj më parë

GJKKO ka rrëzuar një sërë kërkesash të paraqitura në seancën ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit. Gjykata nuk pranoi kërkesën për transmetim live të seancës, duke argumentuar se është shprehur më herët me vendim, si dhe rrëzoi kërkesat për akses në provat dixhitale, heqjen e ndarjes me xham dhe zhvillimin e seancave një herë në dy javë, duke i konsideruar çështje të trajtuara më parë.

Ndërkohë, u pranua kërkesa e avokatit të Ajola Xoxës për shtyrjen e seancës me qëllim njohjen me aktet e dosjes, ndërsa seanca e radhës u caktua më 23 qershor në orën 10:00. Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn, i cili vijon të përfaqësohet nga avokati i tij në proces.

Gjatë seancës, mbrojtja ka kërkuar akses të plotë në dosje dhe prova elektronike duke argumentuar pamundësinë e mbrojtjes efektive, ndërsa prokuroria i ka kundërshtuar këto kërkesa me arsyetimin se aktet janë të ndara sipas të pandehurve dhe nuk pengojnë vijimin e gjykimit, ndërsa trupi gjykues ka vendosur që procesi të vijojë normalisht.

Gjatë seancës, Veliaj paraqiti një deklaratë ku kërkoi të mos marrë pjesë në proces derisa t’i vihen në dispozicion në qeli të gjithë fashikujt e dosjes dhe provat elektronike. Ai kërkoi gjithashtu që të mos qëndrojë në “kafazin e qelqtë”, por pranë avokatit të tij në sallë.

Avokati i tij, Plarent Ndreca, ka argumentuar se klientit duhet t’i garantohet njohja e plotë me aktet hetimore, duke theksuar se pa këtë akses është e vështirë të vijojë mbrojtja.

“Është e pamundur të vazhdohet mbrojtja pa njohjen e plotë me aktet dhe pa konsultim efektiv me klientin”, është shprehur ai.

Nga ana e tij, Prokurori Ols Dado ka deklaruar se bëhet fjalë për akte të veçanta dhe të ndara për të pandehur të ndryshëm, të cilat nuk pengojnë zhvillimin e procesit gjyqësor. Sipas tij, nuk ka arsye ligjore për shtyrjen e seancës dhe gjykimi duhet të vijojë normalisht.

Në seancën e kaluar, Veliaj nuk mori pjesë, ndërsa u përfaqësua nga avokati i tij me pretendimin se procesi nuk ishte i rregullt. Po ashtu, mungesa të disa të pandehurve dhe avokatëve çuan në shtyrjen e seancës.

Gjykata kishte vendosur më herët edhe pezullimin e afateve të paraburgimit deri në seancën e sotme.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme