Detaje të reja për vrasjen e 45-vjeçarit në Mirditë, po udhëtonte drejt Repsit me një koleg në makinë që zbriti 10 minuta para ekzekutimit
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 45-vjeçarit Valter Lleshi, mëngjesin e së hënës në rrugën Reps–Spaç.
Sipas burimeve hetimore, ai doli nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe së bashku me një koleg u nis drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku punonte.
Vetëm 2 kilometra nga vendi ku ndodhi vrasja, kolegu zbriti në një lokal, ndërsa Lleshi vijoi lëvizjen i vetëm.
Hetuesit dyshojnë se autorët kanë ndjekur lëvizjet e tij që nga dalja nga banesa dhe pasi janë informuar për itinerarin, i kanë zënë pritë në një kthesë rreth një kilometër larg vendit të punës.
45-vjeçari u qëllua nga afër, duke marrë plagë të shumta në kokë dhe fytyrë. Sipas grupit hetimor, mënyra e ekzekutimit tregon se autorët kishin planifikuar me kujdes atentatin dhe synonin eliminimin e tij pa i lënë mundësi shpëtimi.
Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa po vijojnë kontrollet në zonë si dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve në Rrëshen dhe përgjatë Rrugës së Kombit, në përpjekje për të identifikuar autorët dhe lëvizjet e tyre para e pas krimit.
Një nga pistat që po verifikohet lidhet me dyshimet se viktima mund të ketë pasur dijeni ose përfshirje në vrasjen e Anton Kelit në vitin 2020 në Rrëshen.
Edhe pse ai ishte marrë në pyetje për atë ngjarje, organet e drejtësisë nuk arritën të siguronin prova që ta implikonin.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




