Operacioni “Udhëkryqi” në Tiranë, arrestohet 41- vjeçari i shpallur në kërkim për plagosje të dyfishtë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Udhëkryqi”, i cili mundësoi lokalizimin dhe vënien në pranga të një shtetasi 41-vjeçar të shpallur në kërkim. Sipas autoriteteve, i ndaluari qarkullonte i armatosur nëpër qytet përpara se të bllokohej nga forcat e rendit.
Operacioni u zhvillua përmes një koordinimi strukturor ndërmjet specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimeve të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
“Si rezultat i punës operative dhe asaj operacionale, kryer me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim u vu në pranga shtetasi Y. M., 41 vjeç.”, njofton policia.
Ndalimi në rrugën “Mine Peza” dhe sekuestrimi i arsenalit
Ndalimi i 41-vjeçarit u realizua në zonën e rrugës “Mine Peza”, ku forcat e policisë ndaluan për verifikim automjetin tip “Benz” që ai drejtonte. Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një sasi armatimi dhe lëndësh të ndaluara.
“Në automjet u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), krehri i saj me fishekë, dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.”
Ngjarja e Paskuqanit
Sipas të dhënave zyrtare të policisë, shtetasi Y. M. ishte shpallur në kërkim dy javë më parë si autor i dyshuar i një tentative plagosjeje ndaj dy personave në periferi të kryeqytetit.
“Më datë 2 qershor 2026, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit E. Q. dhe A. V., tek ura e Paskuqanit.”, informon policia.
Pas përfundimit të procedurave të arrestimit dhe dokumentimit të provave materiale në vendngjarje, të gjitha materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




