Miratohet reforma europiane e migracionit, eurodeputetët japin dritën jeshile ligjit që përshpejton deportimin e migrantëve pa të drejtë qëndrimi

Botë | 5 muaj më parë

Parlamenti Europian miratoi përfundimisht një ligj të ri europian që synim ka përshpejtimin e procedurave të deportimit të migrantëve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e vendeve të bllokut.

Me 418 vota pro dhe 218 kundër, eurodeputetët i dhanë kështu dritën jeshile ngritjes në vendet jashtë BE-së të qendrave për kthimin e migrantëve të jashtëligjshëm, një lëvizje kjo që u mbështet fuqishëm nga grupet e qendrës së djathtë dhe ato të ekstremit të djathtë.

Nën legjislacionin e ri, migrantët që refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet dhe që nuk pranojnë të largohen nga vendet e bllokut do të përballen me masa të rrepta që parashikojnë deri në dy vite paraburgim.

“Kjo rregullore përcjell mesazhin se jemi ne dhe jo trafikantët e qenieve njerëzore ata që vendosin se kush duhet të qëndrojë dhe kush do të largohet nga Bashkimi Europian,” u shpreh eurokomisioneri për migracionin Magnus Brunner.

Legjislacioni ndërkohë është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe politikanët e majtë, sipas të cilëve ai rrezikon të stigmatizojë migrantët dhe të nxisë polarizimin në një kohë kur shoqëritë kanë nevojë për kohezion më të madh.

Nën rregullat e reja, autoritetet e shteteve anëtare lejohen të ushtrojnë kontrolle ndaj shtetasve të vendeve të treta, të bastisin banesat e tyre apo mjedise të tjera dhe të konfiskojnë sendet personale.

Alessandro Zan i grupit të qendrës së majtë të socialdemokratëve reformën e cilësoi një kapitull të errët për Europën.

“I hap rrugë deportimeve të detyruara dhe normalizimit të ndalimit edhe të njerëzve që nuk kryejnë ndonjë krim,” u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme