Kolumbia nuk fal ndaj Uzbekistanit të Cannavaro-s, fitore ‘in extremis’ për Ganën

Debutim pozitiv për kolumbianët, mundin bindshëm aziatikët debutues. Në Grupin L ganezët mposhtin Panamanë në frymën e fundit.
Janë luajtur ndeshjet e para të grupeve K dhe L të Botërorit 2026. Pas barazimit të Portugalisë dhe fitores së Anglisë, Kolumbia ka mundur 3-1 Uzbekistanin, kurse Gana mori 3 pikët ‘in extremis’ ndaj Panamasë.
Debutimi i Kolumbisë në Grupin K ishte një manifestim kualiteti, teknike dhe cinizmi. “Cafeteros” morën kontrollin e lojës që në fillim, por për të çarë mbrojtjen e organizuar nga Cannavaro duhej të vinte fundi i pjesës së parë, kur Daniel Muñoz finalizoi një aksion koral.
Në pjesën e dytë aziatikët tentuan të reagonin dhe gjetën golin e parë historik në një Botëror me Abbosbek Fayzullaev. Vetëm pak minuta zgjati festa e Uzbekistanit, sepse Kolumbia realizoi sërish, këtë herë me një nga yjet e saj, Luis Díaz. Në shtesë Jaminton Campaz vulosi rezultatin në 3-1.
Ndeshja mes Ganës dhe Panamasë u duk se do të përfundonte në barazim pa gola, por në minutën e 5-të shtesë Brandon Thomas-Asante shpiku një asist perfekt për Caleb Yirenkyi, i cili shumë afër shënoi golin e fitores.
Një gol me peshë, që e lejon Ganën të bashkohet me Anglinë në krye të grupit. Këto dy skuadra do të ndeshen mes tyre më 23 qershor, kurse Kroacia dhe Panamaja luajnë për “brenda ose jashtë” në sfidën tjetër të grupit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




