Shpërndante kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, në pranga 44-vjeçari

Aktualitet | 4 muaj më parë

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, duke finalizuar operacionin e koduar “Bulevardi”. Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar në flagrancë një 44-vjeçar, i cili dyshohet se furnizonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas Policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve siguruan informacione se shtetasi S. K., banues në Vorë, do të transportonte dhe shpërndante një sasi të konsiderueshme kokaine në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin Tiranën me Urën e Paskuqanit.

Pas organizimit të operacionit, shërbimet policore lokalizuan dhe ndaluan për kontroll 44-vjeçarin në rrugën “Riglata”. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan dy paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram e 680 gramë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ai furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, ndërsa një pjesë të lëndës narkotike e shpërndante vetë.

Policia bën me dije se gjatë fazave të operacionit të mëparshëm “Zonat”, të zhvilluar gjatë muajve maj dhe qershor, janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme